Komiteti drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit thuajse ka përmbysur vendimet e marra pak ditë më parë nga komisioni i disiplinës pranë kësaj federate, në lidhje me incidentet e ndodhura në takimin e basketbollit për meshkuj Vllaznia-Tirana. Disiplina pat pezulluar me nga 6 muaj trajnerin e Vllaznisë, Bledar Gjeçaj dhe basketbollistin e Tiranës, Erkand Karaj, por këto dënime tashmë i përkasin të shkuarës. Gjeçaj mbetet i pezulluar, por vetëm 3 muaj dhe mund të rikthehet të drejtojë Vllazninë në rast se paguan (10 mijë lekë për muaj). Gjithashtu, trajneri shkodran i mbetet në fuqi gjoba prej 70 mijë lekësh. Basketbollistit të Vllaznisë, Ndoja, i është hequr pezullimi prej 3 ndeshjesh dhe do të jetë i gatshëm për të luajtur në Kupën e Shqipërisë. Ndërsa basketbollistit Erkand Karaj i është hequr pezullimi prej 6 muajsh dhe është i lirë të aktivizohet që ditën e diel, në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Organizatorit të Tiranës i është lënë në fuqi gjoba prej 50 mijë lekësh. Gjobë me vlerën e 30 mijë lekëve edhe për 4 basketbollistë të përfshirë në incidentin e shkaktuar në atë takim: Ndoja, Shima, Johnson dhe Lekndreaj, të cilët duhet të paguajnë edhe për tekniket e marra. Vendimet ndryshuan shumë shpejt dhe krejt papritur pas ankimimit që skuadrat patën bërë pas vendimeve të marra nga Komisioni i Disiplinës. Ajo që bie në sy është se kryesia ka “përmbysur” disiplinën dhe lojtarët do të jenë në fushë në sfidën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, Tirana-Vllaznia, që luhet ditën e diel në Durrës.