Shkruar nga Gjergj KOLA
Sporti shkodran në vite ka lënë gjurmë me sukseset e tij të shumta dhe në arritjen e tyre kanë dhënë një kontribut të madh me qindra e qindra sportistë. Po ashtu edhe shumë trajnerë dhe pjestarë të tjerë të ekipeve të ndryshme. Kurrsesi nuk mund të lihen pas dore edhe ata që qëndruan pas tyre.
E kemi fjalën për ata që kanë drejtuar sportin shkodran në vite dhe kanë dhënë edhe ata kontributin e tyre në arritjen e këtyre sukseseve. Sot do të ndalemi tek Lutfi Haliti, njeriu i cili për gati 60 vite ka qenë pranë sportit. Fillimisht si sportist, më pas si trajner i ekipeve të moshave në basketboll, arbitër basketbolli, për të vijuar si drejtues i Komitetit të Fiskuturës në Shkodër, përgjegjës i klubit Vllaznia, përgjegjës i pallatit të sportit dhe për ta mbyllur si përgjegjës i ekipit të veteranëve të futbollit.
Një jetë e mbushur me sport dhe me kujtime të shumta që padyshim ka lënë gjurmë jo vetëm tek bashkëkohësit e tij, por edhe tek sportistët, trajnerët e sportdashësit me të cilët ka patur bashkëpunim të ngushë në vite.
Lutfi Haliti lindi në Shkodër më 22 korrik 1929 dhe që në moshë të re angazhohet me sport duke qenë i fokusuar në disa disiplina sportive. Do të ishte pjesë e ekipit të futbollit Puna e Shkodrës. Po ashtu do të ishte edhe pjesë e ekipit të basketbollit të Vllaznisë ku luan përkrah emrave të tilë si M. Sokoli, A. Quku, E. Haxhi, B. Radoja, N. Gjinaj. S. Laca etj.
Në ato vite lejohej që një futbollist të garonte në disa disiplina sportive dhe Lutfi Haliti, falë edhe fizikut të tij përveçse me futboll e basketboll, do të merrej edhe me atletikë. Madje aty do t’i kishte rezultatet më të larta teksa duke konkurruar në garën e kërcimit trehapësh do të shpallej kampion i Shqipërisë.
Pas lënies së sportit, Lutfia do të vazhdonte angazhimin në sport, duke stërvitur ekipe moshash në basketboll si për djem ashtu edhe për vajza. Më pas do tëë kryente për disa vite edhe rolin e arbitrit të basketbollit duke mbajtur stemën e arbitrit të kategorisë së parë.
Në vitet ’60 ndërkohë do t’i besohej një detyrë e rëndësishme teksa emërohet Kryetar i Komitetit të BFSSH për Shkodrën. Pas kësaj detyre do t’i ngarkohej një tjetër e rëndësishme në vitet ’70 kur e emërojnë përgjegjës të Klubit Vllaznia. Në këtë post qëndroi jo pak, ndërsa në vitet ’80 do t’i ngarkohej detyra e përgjegjësit të pallatit të sportit, të cilën e ka kryer deri kur doli në pension në vitin 1989.
Por angazhimin më afatgjatë në sport, Lutfi Haliti e ka patur si përgjegjës i ekipit të veteranëve të futbollit të Vllaznisë. Falë punës me shumë pasion të tij, u organizuan me dhjetëra veprimtari dhe aktivitete të ndryshme në vitet ’80- ’90. Një organizim që i gëzonte të gjithë, me ato vizitat dhe ndeshjet miqësore me ekipet e veteranëve të rretheve të tjera por edhe në vendet fqinje, në Mal të Zi. Këto ngjarje kanë lënë gjurmë tek ish- futbollistët të cilët i kujtojnë edhe sot e kësaj dite ndeshje të tilla dhe afmosferën që krijohej para dhe pas tyre.
Lutfi Haliti është ndarë nga jeta më 16 dhjetor 2004 në moshën 75 vjeçare duke lënë pas shumë kujtime të bukura të karrierës dhe kontributit të tij në sportin shkodran.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”



