I gëzuar për fitoren dhe tre pikët, por haptazi i hidhëruar për lojën e shfaqur nga ekipi i tij. Pikërisht kështu është shfaqur dhe është shprehur trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, në përfundim të takimit të zhvilluar në Vlorë, mes Flamurtarit dhe Vllaznisë, e përfunduar me fitoren e shkodranëve 0-1. Aq është shtangur Cungu nga loja e ekipit të tij në pjesën e parë, sa që në pushimin e ndeshjes nuk i është bashkuar ekipit në dhomat e zhveshjes, por ka preferuar të qëndrojë i vetëm në pankinë. Isha i vetëdishëm që do të ishte një ndeshje e vështirë, për vetë kontigjentin që ka Flamurtari, por edhe për efektin e fushës, ku nuk kishim fituar prej kaq shumë vitesh. Nga ana tjetër pretendoja shuëm më tepër në aspektin e lojës në fushë. Një pjesë e parë në të cilën i është dhënë mundësia kundërshtarit që dominojë, ndërsa në të dytën gjithçka ka ndryshuar. Ka qenë një Vllazni krejt ndryshe, më të kujdesshme. Jam shumë i gëzuar për trepikëshin, por realisht është një fitore që nuk më ka lënë një shije të mirë”, deklaroi trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu. Sipas tij, ekipi duhet të reagojë dhe të përmirësojë lojën sepse kampionati sa vjen e vështirësohet. “Ekipi duhet të reflektojë, pasi nuk po qarkullojmë topin. Duhet të ndryshojmë shumë dhe shpejt madje. Kjo skuadër ka më shumë kapacitet për të treguar, se sa ka bërë në ndeshjet ndaj Flamurtarit dhe Partizanit. Për momentin ndodhemi në vendin e pestë. Realisht jemi në vendin e pestë, që konsiderohet komod, por jo për nga epërsia që kemi në pikë, pasi të gjitha ekipet jemi aty aty me pikë. Të qëndrojmë me këmbë në tokë edhe përsa i përket objektiave”, u shpreh ndër të tjera trajneri Cungu.
© shkodrasport.com