Skënderbeu po përjeton një krizë të thellë rezultatesh dhe për skuadrën e drejtuar nga Migen Memelli, ka filluar pak nga pak rënia në klasifikim, duke e kthyer përsëri në zonë e ftohtë të tij. Korçarët, pas humbjes me Egnatian, e shohin veten në vendin e parafundit në renditje, një situatë që ka sjellë reagime të ashpra nga ultrasit e skuadrës.

Ndaj mesfushori Uerdi Mara, me një status në rrjetet sociale, ka kërkuar falje në emër të ekipit për këtë situatë, teksa ka premtuar që skuadra do të bëjë kthesën dhe do t’ia dalë, ashtu siç bëri një vit më parë kur në fund siguroi mbijetesën në elitë.

“Korça dhe tifozët “Ujqërit e dëborës”, me këtë postim dua t’ju kërkoj falje në emrin tim dhe gjithë çunave të ekipit për humbjet që kemi patur ndeshjet e fundit.

Keni të gjithë të drejtën e botës të na shani dhe kritikoni. Ama duhet të dini se gjithkush nga ne ka dhënë maksimumin për ta mbajtur emrin e ekipit sa më lart, por fati s’ka qenë me ne këto ndeshje. Por ju them me bindje se do ia dalim ashtu siç ia dolëm edhe vjet!”, premtoi mesfushori i talentuar i korçarëve.