Nga Endri ÇINARI

Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëri mbylli dje zyrtarisht sezonin e rregullt 2023-24. Edicioni që shikoi të rikthehej në Superiore pas shumë vitesh AF Elbasanin. Ku verdheblutë kurorëzuan edhe titullin kampion me fitoren e djeshme 3-2 ndaj Bylis. Pikërisht edhe këta të fundit do jenë pjesë e Superiores sezonin tjetër. Pasi e përfunduan kampionatin në vendin e dytë.

Nga Kategoria e Parë u rrëzua një emër i njohur i futbollit shqiptar si Tomori. Së bashku me beratasit, në sezonin tjetër në Kategorinë e Dytë do luajë edhe Luzi. Por ende ka enigma përsa i përket “Play Off” dhe “Play Out” në Kategorinë e Parë. Kështu për të tentuat deri në fund kalimin në Superligë do jenë: Flamurtari, Vora, Apolonia dhe Korabi.

Duke nisur nga kjo fundjavë Flamurtari do jetë kundër Korabit e ndërsa Vora përballë Apolonisë. Për të përcaktuar çiftin, ku fituesi do jetë në “play off” kundër Laçit për ngjitjen në Superiore. Interesante është edhe gara për “play out” në Kategorinë e Parë. Emra të njohur si: Besa dhe Lushnja presin zyrtarizimin e kundërshtarëve.

Kështu nga Kategoria e Dytë, fituesi i çiftit Luftëtari-Shkumbini do jetë përballë Besës. Në krahun tjetër, fituesi i çiftit Iliria-Sopoti do jetë në fund në duel ndaj Lushnjes. Pra ende disa ndeshje interesante përsa i përket kategorieve të ulëta në futbollin tonë, ku çdo duel është një finale për të gjitha skuadrat./www.shkodrasport.com/