Elbasani nis të dielën kampionatin në një transfertë me Kastriotin në Fushë-Krujë. Sipas trajnerit Nevil Dede, kundërshtari meriton respektin maksimal, ndërsa nuk mendon se skuadra e tij ka presion që në ndeshjen e parë, por thjesht përgjegjësi. Për “Panorama Sport” ai sqaron edhe situatën me Xhebrahimin dhe Dragojin, të cilët i dogji një rregullore e re, duke detyruar klubin të marrë një vendin të vështirë.
Nis më në fund kampionati, si vjen Elbasani në këtë ndeshje?
Besoj se skuadra ka qenë gjithë kohën e motivuar, e përqendruar dhe ka punuar me seriozitet për të arritur të gjitha qëllimet që ka kjo periudhë. Unë jam i kënaqur dhe falënderues për punën dhe seriozitetin e, mbi të gjitha, kolektivitetin, që ata kanë.
Përballë është Kastrioti, një ekip që ka rënë nga Superiorja, çfarë prisni?
Mendoj që është një klub që meriton vlerësim maksimal për atë që i ka dhënë futbollit shqiptar. Besoj se gjithmonë një nga armët më të forta që ata kanë, duelet sportive brenda kufijve, i kanë pasur në shkallën superiore. Besoj se do të bëhet një përballje e fortë dhe në respekt të njëratjetrës. Në fund, ai që do ta meritojë besoj se do të dalë i kënaqur.
A ka presion Elbasani për rezultatin apo është ende herët për të pasur presion?
Është një kampionat i gjatë me 33 javë dhe numri i ndeshjeve tregon se asnjë nuk duhet të jetë nën presion edhe trysni. Gjithsesi, objektivat, qëllimet apo projektet sportive, që kanë ekipet, besoj se i vënë para përgjegjësisë dhe jo trysnisë apo presionit.
Çfarë ju shqetëson më shumë para sfidës me Kastriotin?
Asgjë. Do të doja të rikuperoja disa lojtarë që kanë pasur disa probleme të vogla. Kemi edhe dy ditë në dispozicion dhe do të mundohemi të rikuperojmë.
Largohen Xhebrahimi dhe Dragoj. Çfarë ndodhi?
Realisht është rregullorja që na detyroi. Klubi është njoftuar pak me vonesë ku nuk mund të federonim dot 25 lojtarë, sepse edhe vitet e formimin të klubit nuk i plotësojnë disa kritere për të futur lojtarë nga akademia. Në këtë prizëm më vjen keq që u dogjën Xhebrahimi dhe Dragoji, por kur numri është i limituar dikush duhet të mbesë jashtë skuadrës. Unë shpresoj që ata do të bëjnë mirë kudo që të jenë dhe keqardhje që nuk i kemi ne në skuadër.