Elis Bakaj po kalon një moment fantastik në kampionatin bjellorus me skuadrën e Shakhtjor Soligorskut duke shënuar gola rregullisht dhe duke dhënë asiste për shokët e skuadrës.
Paraqitjet e tij me klubin bjellorus, janë vlerësuar maksimalisht duke qenë se sulmuesi Bakaj ka marrë edhe një vlerësim nga klubi.
Ai është vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit duke qenë se në 32 ndeshje, ka arritur të shënojë 12 gola në të gjithë kompeticionet dhe ka dhënë edhe 8 asiste për shokët. Ai ka arritur të fitojë këtë çmim të rëndësishëm individual me 63% të votave.
“Faleminderit të gjithëve që më zgjodhët mua futbollistin më të mirë të vitit. Premtoj se vitin e ardhshëm do të jap më të mirën për ekipin tim. Ndihem shumë i lumtur që edhe sezonin e ardhshëm do të jem pjesë e këtij ekipi me këto tifozë të mrekullueshëm”, u shpreh Bakaj. /VipSport/