Elis Legata, trajneri i portiereve të kombëtares së femrave, por edhe drejtues i akademisë Atletik në Shkodër ka qenë mbrëmë i ftuar në Star Sport. Ai u ndal tek analiza e ndeshjes së Vllaznisë kundër Partizanit, duke theksuar luhatjet e kuqebluve. Sipas Legates ndeshja kundër Laçit pritet të vendosë gjithçka. Gjithashtu ish-portieri foli edhe për futbollin e moshave, duke e cilësuar një sfidë dhe sakrificë më vete për të gjithë.

Legata tha: “E shikova ndeshjen kundër Partizanit dhe mund të them se Vllaznia shfaqi të njëjtat probleme të gjithë këtij sezoni. E paqartë në lojë, me aksione jo të rrjedhshme dhe shumë e lexueshme për kundërshtarin. Pjesa e parë ishte për tu harruar, përjashto ndoshta 10 minutat e para ku ekipi tentoi. Megjithatë jo për të justifikuar skuadrën, por ndoshta me pak fat edhe mund të merrnin një barazim.

Pasi kam parasysh dy raste me Çoben dhe Hoxhajn që mund ta dërgonin ndeshjen në rezultatin 2-2. Por ekipi ka ende gjithçka në dorën e tij dhe ka dy finale përpara. Ku unë shikoj si shumë të rëndësishme ndeshjen e së enjtes kundër Laçit.

Besoj se aty do vendoset gjithçka për një kualifikim në kupat e Europës. Ku besoj se do ishte një dështim jo vetëm sportiv, por edhe ekonomik nëse ekipi nuk i kap katër vendet e para në renditje.

Futbolli i moshave ? Ne kemi pasur një prezantim dinjitoz në kampionatin kombëtar me grup moshat 14 dhe 15 vjeçar. Një sezon shumë i vështirë pasi aty kërkohet një sakrificë nga të gjithë.

Jo vetëm nga futbollistët dhe trajnerët, por edhe nga prindërit që gjej rastin ti falenderoj. Pasi kanë paguar për fëmijët e tyre dhe për këtë i jemi mirënjohës. Tek moshat ka shumë problematika dhe shpresoj që të zgjidhen në të ardhmen”.
Endri ÇINARI