Elseid Hysaj ka qenë një nga protagonistët e natës së të martës në “Air Albania”, pasi arriti numrin e 94 ndeshjeve me fanellën e Kombëtares, duke vendosur një rekord të ri. Një rekord të cilin ia rrëmbeu Lorik Canës, me të cilin mbrojtësi shpreson që së shpejti të shkojë për darkë për të festuar “parakalimin”, siç tregoi para mediave.
Rekord për Hysajn, paraqitje shumë të mira. Si ndihet Elseid Hysaj në këtë Kombëtare?
Ky është një emocion i rrallë, nuk mund ta tregoj sepse vërtet ndodh rrallë, prandaj dua ta shijoj dhe ta vazhdoj këtë emocion deri në nëntor, deri kur të vijnë ndeshjet e tjera me Kombëtaren. Jam shumë i lumtur.
A keni kontaktuar me Canën për rekordin e thyer dhe si u ndjeve nga pritja e tifozëve?
Shumë mirë u ndjeva. Me Canën akoma nuk kam komunikuar, kur të kthehem në Romë, pasi aty jeton, besoj do të hamë një darkë së bashku. Për tifozët, shpresoj që stadiumi të jetë edhe më plot, sepse vërtet sot kishte tifozë. I falënderoj që erdhën dhe shpresoj që herët e tjera të ketë edhe më shumë, sepse na duhen.
Sa beson te kjo kombëtare për të arritur atë që të gjithë e ëndërrojmë, Botërorin?
Të them të vërtetën, unë besoj shumë, sepse e kemi treguar që mund të luajmë me skuadrat e mëdha dhe mund të fitojmë. Duhet vetëm të dimë si të fitojmë dhe të mos na kapë ajo euforia sikur fituam dy ndeshje dhe eja të shkojmë përpara.
3 fitore dhe 2 barazime. A e përmbush Kombëtarja pritshmërinë apo keni ndonjë peng?
Jo, të them të vërtetën, nuk kam pengje, sepse kemi marrë shumë pak gola. Kjo është një gjë e rëndësishme për një ekip kombëtar, që mbrojtja të jetë solide. Pastaj, shpresojmë që sulmuesit tanë, disa u zhbllokuan sot (dje), t’i kemi gati për në nëntor.
Çfarë i mungon kësaj kombëtareje për t’u motivuar njësoj si në sfidën ndaj Serbisë?
Nuk i mungon asgjë besoj, sepse po gjejmë një grup shumë të mirë dhe po gjejmë një frymëzim shumë të bukur. Trajneri ka besim tek ne, ne kemi besim te trajneri. Do të vazhdojmë kështu.
Paraqiteni me shiritin e kapitenit. Një mesazh për djemtë që debutuan sot…
Për djemtë, unë i kam uruar. Ky është një emocion i rrallë që e kanë provuar dhe ata dhe besoj se do t’ju tregojnë vetë emocionet që kanë pasur.