Elseid Hysaj mund të luajë në Bundesligë në sezonin e ardhshëm dhe njëkohësisht të bëhet futbollisti më i shtrenjtë që është transferuar ndonjëherë në këtë kampionat.

Lajmi vjen nga e përditshmja torineze “Tuttosport”, sipas të cilës, në ndjekje të mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare është Bajern Mynih.

E njëjta gazetë vetëm dy ditë më parë kishte bërë të ditur se një ‘gjigant europian’ ishte gati të siguronte lojtarin e përfaqësueses dhe menaxheri i Hysajt kishte njoftuar Napolin se klubi në fjalë mund të paguante klauzolën prej 50 milionë eurosh që ka në kontratë.

Sot, “Tuttosport” bën të ditur se klubi në fjalë është Bajern Mynih, ndërsa në garë ka hyrë edhe Arsenali, i cili në

fakt e kërkon për krahun e majtë.

“Për shqiptarin është vënë në lëvizje përsëri Bajerni, i gatshëm të paguajë klauzolën prej 50 milionë eurosh e cila mund të aktivizohet nga 1, deri më 15 korrik.

Por së fundmi edhe Arsenali, të cilit i intereson në fakt një mbrojtës i majtë, ka kërkuar informacione rreth tij”, shkruan gazeta sportive italiane.

Transferimi i Hysajt te Bajern për 50 milionë euro do të vendoste rekordin e ri të transferimeve të Bundesligës, ku shifra më e lartë e paguar ndonjëherë për të blerë një futbollist është ajo prej 41,5 milionë eurosh që vetë bavarezët paguan për Korentin Toliso. /vipsport/