Pavarësisht problemeve që po kalon tek Lacion, Elseid Hysaj në kombëtare është tjetër “njeri”. Me fanellën kuqezi ai tjetërsohet dhe gjithnjë mundohet të japë më të mirën e tij dhe këtë e bëri edhe mbrëmë në ndeshjen ndaj Polonisë të humbur në shifrat 1-2.
Kuptohet që Hysaj dha sërish më të mirën e tij dhe të gjithë do ta mbajnë mend për atë galopim gati 70 metra dhe pasin e tij të shkëlqyer për Bajramin, por ky i fundit shpërdoroi një mundësi të artë duke mos shënuar, gol që me siguri do ta çonte Shqipërinë në finalen e play-off.
Elsi është vlerësuar me notë të lartë për paraqitjen e tij ndaj polakëve dhe ka qenë në mes më të vlerësuarve në rradhët e kuqezinjve. Vetë ai, përmes një postimi në instagram shpreh keqardhjen për eliminimin nga ëndrra për të shkuar në Botërorin e ardhshëm.
“Ëndrra ndaloi, por jo dashuria për këtë komb, për këta tifozë, për këtë fanellë..!”- shkruan rekordmeni i kombëtares shqiptare për numrin e ndeshjeve me fanellën kuqezi.


