Shqipëria humbi përballë Norvegjisë në një ndeshje miqësore e cila u luajt në “Elbasan Arena” dhe që u mbyll me shifrat 0-1.

Futbollisti më i shtrenjtë i Kombëtares sonë, Elseid Hysaj u shpreh se ajo ishte vetëm një ndeshje ku mungoi forca fizike dhe ju bën thirrje tifozëve për t’i mbështetur pasi sipas tij, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Hysaj doli i dëmtuar nga ndeshja ndërkohë që tregon edhe se ka pasur shumë interesime për gjendjen e tij shëndetësore.

“Ishim pak poshtë fizikisht dhe kjo ishte gjëja që nuk na favorizoi por besoj që ndonjëherë ndodh të jemi poshtë por duhte të marrim veten.

Përgatitja nuk ishte e keqe por kur filluam të kërkojmë më shumë gabuam. Besoj se kemi bërë mirë në stërvitje dhe disa lojtarë të rinj e kanë marrë sensin e Kombëtares së madhe.

Nuk kishim fuqi të shkonim nga porta në portë por tifozët nuk duhet të shqetësohen pasi i kemi pasur pranë gjithmonë si në fitore si në humbje.

Kam marrë me qindra mesazhe dhe nuk më ka pushuar telefoni. Të gjithë më kanë pyetur në lidhje me dëmtimin”, u shpreh Hysaj për “Vip Sport”.