Nga Gjergj KOLA
Në Itali po rriten shumë futbollistë të rinj shqiptarë. Prindërit e tyre kanë emigruar herët dhe tashmë fëmijëve të tyre po u jepet mundësisa që të tregojnë vlerat e tyre edhe në futboll, megjithatë pavarësisht se stërviten e luajnë atje, sërish mendjen dhe zemrën i kanë tek Shqipëria.
Jo më kot ata zgjedhin kombëtaren kuqezi për të luajtur dhe njëri prej tyre është edhe futbollisti Elton Dodaj. Ai ka lindur në Itali më 22 janar 2009 dhe me futboll fillon të merret që në moshën 6 vjeçare duke u rregjistruar tek ekipi Alcione të Milanos.
Me të do të luante plot 7 vjet duke treguar shenjat e një lojtari me shumë të ardhme. Ndërkohë këtë sezon ka vendosur të ndryshojë ekip dhe tashmë është bërë pjesë e Pro Patria, me të cilin e ka nisur sezonin duke luajtur me ekipin U17 të tij.
Dodaj luan në rolin e lojtarit të krahut, kryesisht si mbrojtës i djathtë por shpeshherë preferohet nga trajnerët për ta aktivizuar edhe në mesfushë. Ndonëse është 16 vjeç, ka një fizik shumë të pëlqyeshëm sepse është 1.82 metra i gjatë dhe një peshë prej 72 kg.
Ecuria e tij e deritanishme ka qenë shumë e mirë, megjithatë premisat janë për të bërë më mirë në të ardhshme sepse cilësistë i ka. Por nga ana tjetër, përveçse me klubet, Elton dhe familja e tij i kanë kushtua rëndësi edhe luajtjes me kombëtaren shqiptare.
Dhe menjëherë sapo i ka mbërritur ftesa e parë, i kanë thënë pa as më të voglin hezitim “PO”. Luajtja për ngjyrat e kombit shqiptar sigurisht që u sjell një sadisfaksion të madh dhe ky është realitet për të. Eltoni ka qenë pjesë e kombëtares U16 dhe tashmë së fundi është i grumbulluar rregullisht me kombëtaren U17 të Shqipërisë dhe jep gjithmonë më të mirën për të.
Ky është shkrimi i parë i Gazeta “SHKODRA SPORT” për këtë futbollist me origjinë nga Bushati, por me siguri jo i fundit sepse do ta ndjekim rregullisht edhe në të ardhmen, me shpresë se ka për të arritur majat, si me klubet ashtu edhe me kombëtaren shqiptare.








