Elvin Beqiri, kapiteni i Vllaznisë, ka vlerësuar maksimalisht vendimin e drejtuesve të klubit për t’i kaluar pa masa dy humbjet e fundit. Sipas kapitenit, një vendim i tillë do të ndikojë vetëm pozitivisht. Një gjë e tillë është vënë re edhe në seancat stërvitore të javës së shkuar. Mbrojtësi ka theksuar se në analizën e zhvilluar gjithçka ka shkuar mirë dhe se të gjithë kanë nxjerrë mësimet e duhura. “Më vjen mirë që analiza ka shkuar siç duhet, në të gjitha drejtimet. Vendimi i drejtuesve të klubit për të mos marrë masa ka qenë më se i drejtë. Një vendim që është vlerësuar dhe është pritur normalisht mirë nga ana jonë. Një apo dy humbje nuk duhet që të bëjnë që të zbehet gjithë puna që është bërë dhe po bëhet.

Ndodhin gjëra të tilla në futboll dhe nuk duhet që të bëhet alarmante një situatë e tillë. Mendoj se ne si skuadër e kemi forcën për të bërë përsëri kthesën te rezultatet pozitive. Gjatë analizës jemi ndalur tek gabimet që kemi bërë dhe kemi nxjerrë së bashku të gjithë përgjegjësitë”, – ka thënë fillimisht Beqiri.
Kastrioti Takimi me Kastriotin pritet të jetë ai i kthesës për Vllazninë pas dy humbjeve radhazi. “Tani duhet të mendojmë dhe të punojmë për ndeshjen e radhës që kemi me Kastriotin. Ne duhet të fokusohemi te kjo përballje, në mënyrë që të harrojmë ato humbje. Kur kemi bërë një gjë të tillë pas fitoreve, kjo është normale pas humbjeve. Mendoj se përballja që kemi në fundjavën me Kastriotin nuk është e lehtë, por që nga ana jonë duhet të kalohet me sukses. Një fitore që është alternativa e vetme që do të kemi, do jetë një autokritikë e mirë për një rikthim te rezultat pozitive”, – vijon kapiteni, i cili thotë se i vjen keq që në këtë përballje ekipi do të ndjejë mungesën e tifozerisë: “Natyrisht që më vjen keq që nuk do kemi mbështetjen e tifozërisë sonë në këtë takim. Megjithatë, me një fitore do dimë që t’i kënaqim ata që do të na ndjekin përmes mediave”.
Gjendja Kapiteni ka vlerësuar gjendjen e lojtarëve shkodranë në javën që kaloi. Ai shpreson që ekipi edhe gjatë kësaj jave të ruajë një formë të tillë. “Mendoj se forma e lojtarëve është më e mira. Na ka ndikuar pozitivisht ndërprerja e kampionatit për një rikuperim të përgjithshëm, pas asaj ngjeshjeje të takimeve. Mendoj se me përjashtim të Rajoviçit skuadra është e plotë dhe lojtarët do të rikuperojnë gabimet që kemi bërë, sidomos në takimet e fundit. Unë besoj te kthesa”, – ka përfunduar kapiteni i Vllaznisë, Elvin Beqiri. Shkodranët e nisën mirë kampionatin, por aktualisht po kalojnë një moment të keq. Kuqeblutë kanë pësuar dy humbje radhazi në dy takimet e fundit. Fillimisht u mundën në fushën e tyre nga Skënderbeu me rezultatin 3-1 dhe më pas në fushën asnjanëse të Kavajës ndaj Teutës me rezultatin 3-2. Këtë javë presin Kastriotin në shtëpi.
Admir URUÇI