Me fitore e kanë mbyllur dy skuadrat shkodrane të futbollit të femrave, Vllaznia e Juban Danja javën e pestë të këtij kampionati. Vllaznia ka fituar thellësisht në Shkodër ndaj Apolonisë me rezultatin 11-0 ndërsa Juban Danja ka mundur në Durrës, Shkëndinë vendase me rezultatin 5-1. Në të parën nuk ka patur shumë histori teksa ka patur edhe goleadë madje rezultati mund dhe duhej të kishte qenë shumë më i thellë. Kanë shënuar edhe dy kamerunaset e kësaj skuadre, Bebey tre gola dhe Ada dy gola ndërsa golat e tjerë kanë patur për autore Grudën me dy gola, Doçin, Hoxhën, Mujen dhe Lazrin. Ndërkohë Juban Danja ka dominuar në të gjitha drejtimet ndaj Shkëndisë së Durrësit duke fituar 5-1. Golat janë shënuar dy prej trajneres- lojtare Emanuela Jaku, një nga Klaudia Rrotani, një nga Paula Jaku dhe goli tjetër nga Xhorxheta Coli. Po për javën e pestë të kampionatit, ka patur një barazim 1-1 në mes dy ekipeve pretendente, Kinostudios dhe Tirana AS. Në kushte të tilla, nga ky barazim ka përfituar Vllaznia që pas kësaj jave është ngjitur në krye të renditjes me 13 pikë, po aq sa edhe Kinostudio ndërkohë që javën e ardhshme është sfida mes këtyre dy skuadrave në Shkodër.
© shkodrasport.com