Një nisje të shkëlqyer i ka bërë ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznia këtij kampionati. Pasditen e sotme ai ka fituar edhe ndeshjen e tretë rradhazi por jo vetëm kaq. Kjo fitore ka patur një vlerë më të madhe në krahasim me dy të tjerat sepse është arritur në transfertë dhe për më tepër, ndaj një rivali për titull siç ishte Tirana. Rezultati i fiksuar në fund të takimit të luajtur në palestrën sportive “Fahrije Hoti” ka qenë 78-75 për shkodranët. Trajneri Bledar Gjeçaj është shprehur shumë i kënaqur me arritjen e kësaj fitoreje sepse skuadra po tregon progres nga ndeshja në ndeshje dhe kjo po reflektohet çdo javë. Ardhja e dy malazezëve Gjokoviç dhe Krivokapiç si dhe e shkodranit Arra, e ka rritur ndjeshëm forcën e skuadrës. Por, po ashtu edhe pjesa tjetër e ekipit ka fituar përvojë dhe tashmë edhe Ndoja, Taraboshi, Bekteshi, Shestani etj, duken më të motivuar për të marrë një trofe këtë sezon. Ky është objektivi i këtij ekipi. Në fakt dëshira është e madhe për titullin kampion por edhe fitimi i Kupës së Republikës nuk do ishte keq sepse trofetë për këtë ekip mungojnë prej shumë vitesh.
© shkodrasport.com