✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”

Besëlidhja mori një tjetër fitore me rëndësi teksa triumfoi në Koplik ndaj skuadrës vendase Veleçiku me rezultatin e pastër 3-0. Pas këtij trepikëshi të marrë, lezhjanët vazhdojnë të kryesojnë të vetëm renditjen e kampionatit edhe pas kësaj jave.

Goli i Rraboshtës dhe dy golat e Krujës ishin ato që sollën suksesin e Besëlidhjes dhe në fund padyshim që të gjithë janë gëzuar. Përfshi këtu edhe trajnerin Elvis Plori që është dukur i lumtur dhee pas ndeshjes është shprehur:

“Ishte një ndeshje e luftuar në një terren shumë të vështirë. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen dhe dëshirën që treguan djemtë në tërësi. Kemi kaluar një transfertë të vështirë dhe jam i kënaqur si me pikët, ashtu edhe me lojën.

Gjithsesi, është ende herët për të festuar – duhet të rritemi çdo ditë, të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të arrijmë aty ku duhet. Golat ishin shumë të bukur, por sidomos ai i tretë i Arsid Krujës, ishte një perlë e vërtetë.”

Besëlidhja ka 16 pikë pas 6 javësh kampionat, duke qenë një pikë përpara KF Shiroka që mban vendin e dytë në renditje. Javën e ardhshme ajo do ta ketë pushim sepse në kalendar ka qenë e planifikuar ndeshja me Valbonën, ekipin që tashmë është tërhequr nga kampionati.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”