Elvis Sina është i bindur që Tirana do të fitojë tit ullin kampion për herë të dytë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i skuadrës dhe një nga lojtarët më të titulluar të bardhebluve foli për sezonin e kampionëve. Ish-i lavdëroi trajnerin Orges Shehi për lojën që ka ndërtuar si dhe vlerësoi të gjithë drejtuesit e skuadrës që kanë ndërtuar një grup të fortë. Në fund, Sina pranoi se shitjet e lojtarëve i bëjnë shumë mirë klubeve të futbollit, pasi i forcojnë financiarisht.
Bardheblutë janë të parët në Superiore. Si ju është dukur Tirana këto 21 javë kampionat?
Skuadra deri tani më duket mirë, duke llogaritur largimet që ka bërë klubi për shkak të merkatos apo politikës financiare për të grumbulluar sa më shumë të ardhura. Më pëlqen fryma e grupit. Shoh një punë të mirë të trajnerit Orges Shehi. Ai ka harmonizuar lojtarët e rinj dhe atyre të akademisë me boshin e skuadrës. Më pëlqen edhe fakti që trajneri sheh nga akademia. Harmonizimi i skuadrës është bërë mirë dhe pjesa e lojtarëve që janë larguar si Ismajlgeci, Xhixha, por deri diku edhe Kallaku, që janë me shumë peshë të mos ndihet shumë.
Keni një mendim për penalltinë që u dha në Shkodër?
Ndeshjen e kam parë. Futbolli i ka të gjitha. Edhe këto penalltitë fantazmë apo probleme të tjera. Në Shkodër skuadra nuk duhet ta kishte lënë ndeshjen aq thjeshtë. Edhe pse shkoi takimi 1-0, Tirana duhet ta kthente në 2-1. Filozofia e lojtarëve është që të mos dorëzohen dhe të luftojnë për të përmbysur rezultatin. Kjo është fryma e Tiranës. duhet të përdorin çdo formë në fushën e lojës. Në kohën tonë ne ndeshjet i kthenim në çdo formë, madje edhe me karakter në fushën e lojës.
Cili është kundërshtari direkt i Tiranës për titullin kampion, Vllaznia apo Partizani?
Them se të dyja skuadrat kanë vlera. Pas Tiranës janë skuadrat më të mira të kampionatit. Treshja e kreut janë më të fortët e kampionatit. Janë me meritë aty ku janë. Ama Tirana nuk ka kundërshtarë. Tirana ka kundërshtar vetëm veten. Këtë nuk e them për të ulur skuadrat e tjera, por gjithmonë kemi vënë re që në momentet më të mira ka një tolerim në vetvete, dhe situata bën që të lënë pikë rrugës. Është momenti të mos lënë asnjë pikë rrugës.