Është një nga femrat më të përfolura në botën e futbollit. Detyra e saj është e vështirë, të vendosë rregull dhe ndajë “drejtësi” në fushën e blertë. Bëhet fjalë për Emanuela Rustën, gjyqtaren nga Elbasani që është zgjedhur si Personazhi i Vitit nga ndjekësit e Newsport.al.

25-vjeçarja mban stemën e FIFA-s dhe në një intervistë ekskluzive ka rrëfyer të pathënat për rrugëtimin e saj të ri. Nga fillimet e saj e deri te jeta private, Emanuela i ndan të gjitha me ne.

– Si lindi dëshira për të qenë pjesë e arbitrimit?
Nuk kisha diçka specifike. Rastësisht lindi dëshira që dhe unë të isha pjesë e futbollit të luajtur. Jo më thonë që ndonjëherë rastësia është “mbret” i botës. E them këtë pasi është diçka shumë e bukur. S’e kisha menduar asnjëherë që do ndihesha kaq mirë.

– A është e vështirë të mbash veshur një xhaketë gjyqtari në Shqipëri?
Ta mbash veshur s’është aspak vështirë, por ta respektosh me dinjitet dhe korrektësi është privilegj i madh.

– Kush të ka mbështetur më shumë në këtë rrugëtim të ri në karrierën tënde?
Padiskutim që familja!

– E para femër me stemën e FIFA-s. Më shumë se aq?
Ndihem shumë e vlerësuar. Tanimë puna që duhet të bëj pas marrjes së stemës duhet të jetë më e madhe se më parë.

– 2019-ta dalëngadalë po “shuhet”. Cilat janë synimet dhe planet për të ardhmen?
Jam e fokusuar maksimalisht në këtë punë. Vitin e Ri dua të arrij suksese më të mëdha se ky që po lëmë pas.

– Për çfarë keni studiuar?
Kam studiuar në Institutin e Edukimit Fizik.

– Puna e përditshme?
Përditshmëria ime nuk ndahet nga sporti. Ushtroj profesionin si mësuese në një gjimnaz në Elbasan, për lëndën e Edukimit Fizik shëndet dhe Sport.

– Në media të ndryshme etiketoheni si bukuroshja me “muskuj”. Sa rëndësi i kushton stërvitjes?
Përgatitja fizike dhe studimi i rregullave të futbollit është çelsi i suksesit në këtë profesion.

– Një femër si ju sigurisht s’mund t’i shpëtojë as ngacmimeve të përditshme…Beqare apo?!
Në fakt ngacmimet nuk ndikojnë në fokusin tim, se ku dua të arrijë (qesh). Zakonisht figurat publike nuk shprehen rreth statusit të jetës private.

– Jeni zgjedhur si “Personazhi i Vitit” nga ndjekësit e Newsport.al. Komenti juaj?

Dua të bëj një falenderim për Newsport.al, për përfshirjen në sondazhin si Personazhi i Vitit 2019 dhe për të gjithë suportuesit të cilët më kanë zgjedhur të jem “Personazh i Vitit”. Fundja unë jam pro shprehjes “The Future is Female”. Duhet t’i mbështesim më shumë femrat në sport dhe të besojmë tek ato në të njëjtën formë siç besojnë tek meshkujt. /Newsport/