Prindërit e tij shkuan me gomone drejt Italisë në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa nga dje është lojtar i Romës, një prej skuadrave më të rëndësishme të futbollit italian.

Ia arriti falë sakrificës, por mbi të gjitha falë talentit të tij të jashtëzakonshëm, të cilin e tregoi menjëherë në vitin e parë në Serinë A dhe bëri për vete shumë ekipe të tjera. Kërkuan shërbimet e tij, por tani është Roma që do të forcohet në mbrojtje me lojtarin e Kombëtares shqiptare.

Këto janë 10 kuriozitetet për futbollistin kuqezi, të cilat janë publikuar nga portalet pranë skuadrës së Romës dhe prezantojnë më mirë blerjen e tyre.

ME GOMONE – Marash Kumbulla është djali i një emigranti shqiptar, i cili shkoi në Itali me gomone nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. Vetëm katër vite pasi shkoi në Itali, babai Lin u bë me djalë, të cilin e quajti Marash. Në Itali e njohin si Maks Kumbulla.

NGA VERONA – Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk është i vetmi që te Roma ka ardhur i rritur nga akademia e Veronës. Edhe Pelegrini ka ndjekur të njëjtën rrugë si shqiptari. “Kam shkuar te Verona kur isha vetëm 8 vjeç dhe kam kaluar nëpër të gjitha ekipet e moshave të Veronës. Tani kam ardhur në skuadrën e parë dhe dua të jap kontributin tim”, ka thënë Kumbulla kohë më parë.

DEBUTIMI – Debutimi i Kumbullës në Serinë A erdhi në 25 gushtin e vitit 2019 kundër Bolonjës. Trajneri Ivan Juriç e vlerësonte shumë dhe për këtë arsye i dha besim. “E aktivizova titullar që në javën e parë, sepse gjatë grumbullimit asnjë sulmues i ekipit nuk mund të shënonte kur e kishte përballë. Është i rritur mjaftueshëm”, ka thënë trajneri i Veronës.

REKORDI – Golin e parë e shënon në 5 tetorin e vitit 2019 në fitoren që Verona arriti 2-0 kundër Sampdorias. Ai u bë mbrojtësi i parë që ka lindur në vitin 2000 dhe ka shënuar gol në 5 kampionatet kryesore në Europë.

KIELINI IDHULL – Idhulli i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare është Kielini dhe në dhomën e tij ka pasur një poster. “E kam admiruar që kur isha fëmijë për grintën dhe dëshirën për t’u përmirësuar. Është një luftëtar në fushën e lojës”.

ROLI – Në shumicën e rasteve, Marash Kumbulla ka luajtur në mbrojtjen me tre. Dikur ka bërë rolin e qendrës, por më vonë u spostua majtas dhe tregoi vlerat e tij. “Më pëlqen shumë ky rol sepse më jep më shumë lirshmëri dhe ndihmoj skuadrën edhe në mesfushë”, thotë ai.

SHQIPËRIA – Marash Kumbulla ka shtetësi italiane dhe shqiptare. Zgjodhi të luante për Kombëtaren kuqezi. “Prindërit e mi janë shqiptarë dhe jetojnë në Itali për më shumë se 20 vite. Unë ndihem si italian ashtu edhe shqiptar, por sigurisht më shumë shqiptar sepse luaj për këtë Kombëtare”, tregon Kumbulla. Grumbullimi i tij i parë me kuqezinjtë erdhi më 31 gushtin e vitit 2019 dhe debutimi më 14 tetor kundër Moldavisë.

SFIDA E FUNDIT – Ndeshjen e fundit në Serinë A e ka luajtur pikërisht ndaj Romës së Fonsekës. Bëhet fjalë për 15 korrikun e këtij viti, ku Juriç e aktivizoi si titullar në transfertën me kryeqytetasit, por pastaj e zëvendësoi në minutën e 19-të për një dëmtim. Ky dëmtim e mbajti jashtë deri në fundin e sezonit.

STATISTIKAT – Marash Kumbulla ka luajtur 25 ndeshje në Serinë A, ku ka shënuar 1 gol, ka marrë 5 kartonë të verdhë dhe një karton të kuq. Nota e tij mesatare ka qenë 6.15. Këto janë statistikat e tij për vitin e parë në elitën e futbollit italian.

KRYEZIU – Kumbulla do të jetë shqiptari i dytë që luan për skuadrën e Romës. I pari ka qenë Naim Kryeziu dhe për ta gjetur këtë fakt duhet të kthehemi pas 91 vite, kur në vitin 1939 ai firmosi me ekipin e kryeqytetit italian. I mbajti veshur këto ngjyra deri në vitin 1947 duke fituar titullin kampion në sezonin 1941-1942.