Ka luajtur me qindra ndeshje vetë në fushën e lojës por Matko Djarmati rrallëherë ka përjetuar emocione si ato të ndeshjes së djeshme mes Partizanit dhe Vllaznisë. Ish-futbollisti, tashmë në rolin e drejtorit sportiv te shkodranët, e ka përjetuar me një ankth të pashoq sidomos momentin kur Herald Marku shkoi të godiste nga pika e bardhë e penalltisë.
Në një video të shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, shfaqet Djarmati i tensionuar duke ecur lart e poshtë në tribunën e “Air Albania”, ndërsa mundohet të qetësohet teksa Marku i drejtohej pikës së bardhë.
Dukshëm i tensionuar, ai po mundohej që të qetësohej në këtë moment vendimtar për sezonin e kuqebluve, pasi një gol do të garantonte objektivin që i kishin vënë vetes shkodranët, praninë në Kupat e Europës.
Ankthi kthehet në një shpërthim emocional, pasi në momentin që topi shkon në rrjetë, Djarmati bie në gjunjë i çliruar, duke festuar si ndoshta rrallëherë më parë një gol në jetën e tij. Emocione që të fal vetëm futbolli… /vipsport/