Shpëtim Duro ende nuk është shlyer nga klubi i Flamurtarit, ku ai punoi për afro 1 vit e gjysmë. Në një prononcim për gazetën ai e konsideron lajm të mirë faktin që drejtuesit kanë nisur të shlyejnë detyrimet e prapambetura dhe rrëfen edhe bisedën që ka pasur me administratorin Sinan Idrizi ditët e fundit.
“Lexova në gazetë që klubi i Flamurtarit ka nisur të shlyejë detyrimet e prapambetura dhe më vjen mirë për këtë. Është hapi i parë për normalizimin e situatës. As unë nuk jam shlyer ende, por kam besim se gjithçka do të zgjidhet.
Gjithmonë kam pasur besim tek Idrizi, por duke njohur problematikat aty brenda dhe ndikimin e faktorëve të tjerë që pengonin ecurinë normale, nuk kam dashur të ndjek rrugën ligjore. Unë e njoh shumë mirë Idrizin dhe kam respekt për të.
Isha i bindur se do të vinte dita kur do të niste të shlyente detyrimet. Pak ditë më parë kam pasur edhe një bisedë me të dhe ai më garantoi se gjithçka që ai ka marrë përsipër gjatë këtyre viteve do të likuidohet”, ka deklaruar fillimisht trajneri.
Duro thotë se Idrizi nuk u shmanget dot përgjegjësive për situatën ku është sot Flamurtari, por sipas tij, administratori nuk është përgjegjësi i vetëm. “Më vjen shumë keq që Flamurtari përfundoi në Kategorinë e Dytë që për ne është e treta…
Natyrisht, Idrizi është kritikuar shumë, sepse ai është administratori, por si një njeri që kam punuar një vit e gjysmë në atë klub dhe duke njohur nga brenda problemet, e them me bindje se Idrizi nuk është përgjegjësi i vetëm.
Shkaqet kryesore kanë qenë indiferentizmi i bashkisë dhe problemet e paketës ligjore për të bërë të mundur privatizimin e bashkisë. Unë e kam parë projektin që ka pasur Idrizi dhe nëse do të ishte realizuar privatizimi i klubit me rregulla të qarta loje, siç edhe vetë Idrizi e përmend vazhdimisht, jam i bindur se Flamurtari nuk do të kishte mbërritur deri në këtë pikë.
Gjithsesi, e vlerësoj faktin që gjërat kanë filluar të lëvizin dhe shpresoj shumë që Idrizi të vazhdojë të jetë në krye të atij klubi, por duhet ta marrë klubin dhe jo të jetë në pozitat që ka qenë gjithë këto vite.
Unë vërtet besoj se Idrizi mund ta ngrejë klubin nëse i krijojnë kushtet e duhura”, tha Duro për gazetën.