Vllaznia mori një humbje të papritur në javën e 13-të të Superiores. Shkodranët u mposhtën me rezultatin 0-1 në Shkodër nga ekipi i Egnatiad. Disfatë që patjetër që djeg për vetë objektiva që ka ekipi, por edhe për faktin se luhej në “Loro Boriçi”. E për një skuadër pretendente, humbje të tilla ndikojnë.

Kjo bën që edhe shifrat e kuqebluve të jenë negative pas raundit të 13-të. Ku ekipi i drejtuar nga Mirel Josa tashmë ka 12 gola të shënuar dhe 13 të pësuar.

Duke qenë kështu në -1 dhe duke pasur kështu një nga prapavijat më të ndëshkuara të kampionatit deri më tani. Disfata kundër rrogozhinasve po ashtu i bën më negative ndeshjet shtëpiake.

Kjo pasi ishte humbja e dytë në Shkodër, ku pas Partizanit që fitonte 1-2 në fazën e parë, janë tashmë rrogozhinasit që morën pikët e plota. Duke bërë kështu që kuqeblutë ta prishinin trendin e rezultateve pozitive në “Loro Boriçi”. Patjetër diçka duhet përmirësuar në dy ndeshjet e fundit që kanë ngelur për këtë vit futbollistik.

Për faktin se këto shifra nuk janë aspak në sinkron me objektivat apo edhe cilësitë që pretendohet se kanë futbollistët kuqeblu. Reagimi i ekipit pritet që në javën e 14-të kundër Kastriotit. Një duel aspak i lehtë dhe shumë i komplikuar, ku krutanët kanë qenë një kundërshtar i sikletshëm për këdo në këtë edicion të Superiores.
Endri ÇINARI