Superliga ka mbyllur javën e 13-të të aktivitet në këtë fundjavë dhe fillim jave që lamë pas. Disa nga skuadrat e elitës së futbollit tonë morën rezultate që ndoshta edhe surprizuan. Ku të tilla ishin fitorja e Egnatias në Shkodër kundër Vllaznisë me rezultatin 0-1 dhe barazimi 3-3 i Erzenit përballë Partizanit, në një moment ku skuadra shijakase po humbiste 1-3.

Por kishte edhe nga ata futbollistë që bënë paraqitje shumë pozitive dhe po vijojnë edhe me formën e mirë në këtë periudhë. Një prej tyre është Alen Sherri.

Gardiani i portës që luan me Egnatian zhvilloi një paraqitje të mirë edhe këtë javë kundër Vllaznisë. Ku mbajti portën e paprekur ku përballë kishte edhe një penallti, që në fakt u humb nga Latifi, që e dërgoi sferën totalisht jashtë.

Por gjithsesi performanca e Sherrit në këtë edicion ka qenë shumë e lartë. Duke qenë titullar absolut tek rrogozhinasit, shkodrani është portieri që ka pësuar më pak gola se të gjithë në kampionat.

Me vetëm 7 gola të pësuar në 13 javë, 24-vjeçari qëndron në krye të renditjes së portierëve që kanë pësuar më pak gola. Duke qenë kështu shumë vendimtar edhe në performancat e Egnatias.

Sherri po kalon ndoshta sezonin e tij më të mirë në karrierë, ku duket se vitet e kaluara në Superiore e kanë pjekur shumë ish-portierin e Vllaznisë.

Tashmë ai po konfirmohet nga java në javë si një ndër më të mirët e rolit të tij në Superiore. Patjetër me një nivel të tillë ai mund të tërheqë edhe vëmendjen e skuadrave jashtë vendit, ku edhe në të shkuarën ka pasur interes për të.
Endri ÇINARI