Alban Xhaferi, presidenti i Vllaznisë, ka theksuar se barazimi 1-1 ndaj Universitatea Kraiovës ka treguar potencialin që ka klubi shkdoran. Xhaferi ka folur para mediave pas sfidës, duke konfirmuar se pjesa më e madhe e kësaj skuadre do të përballonte sezonin e ri në kampionatin shqiptar.

“Erdha të falënderoj përzemërsisht tifozerinë e zjarrtë shkodrane që tregoi se e do shumë Vllazninë dhe kishte mbështetje fantastike gjatë gjithë ndeshjes. Jemi krenarë që kemi këtë tifozeri që për mua është më e mira në botë. Meriton falënderimet më të mira për mbështetjen e tyre por edhe sjelljen shembullore. Kjo është e mirë, se një organizim i tillë, mund të bëjë të mundur që të sjellim edhe ndeshje të Kombëtares në Shkodër.

Ka qënë ndeshje e luajtur, vinim edhe nga moseksperienca se skuadra kundërshtare kishte bërë një ndeshje në kampionat, ndaj fillimi kishte problemet e veta. Por asgjë nuk ka mbaruar dhe do të luftojmë për të bërë një ndeshje sa më të mirë dhe ëndërruar kualifikimin.

Sigurisht që të fitonim do të ishte më mirë, por ndeshja u luajt mirë. Barazimi është rezultat i mirë po e quajmë, por ne nuk jemi në presion para ndeshjes së ardhshme. Vllaznia ka bërë lojë të bukur dhe pse jo të mos vazhdojmë kështu. Besim te kualifikimi? Gjithçka është e mundur, me ndihmën e Zotit dhe punën tonë.

Kemi bërë skuadër të mirë, kemi goditur ku ishte nevojë. Kemi ruajtur një grup me performancë të mirë. Trajneri do të bëjë skemat dhe Vllaznia do të jetë kompetitive. Nga tifozët presim të na mbështetin si në të mirë, ashtu edhe në të keq.

Mendoj se përqindja më e madhe, kjo është Vllaznia e sezonit të ri. Pastaj merkato është deri më 30 gusht e të shohim”, tha Xhaferi.