
Ekipi i volejbollit të meshkujve të Vllaznisë ka bërë një përforcim të rëndësishëm në merkaton e verës. Më mirë të themi ka qenë një rikthim i rëndësishëm i volejbollistit Endri Jukni. Ai në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Teutës së Durrësit ndërkohë që tashmë kthehet të luajë për skuadrën e qytetit të tij. Natyrisht që ky është një lajm i mirë për trajnerin Artan Kalaja sepse njihen vlerat e këtij sportisti. Me ardhjen e Juknit, ekipi shkodran është përforcuar jo pak dhe për rrjedhojë edhe në sezonin e ri sërish do ketë pretendime të larta. Që do të thotë, do të kërkojë të jetë në mes ekipeve më të mira të vendit që do jenë në garë për titullin kampion. Vllaznia ka kohë që ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Nga data 20-31 gusht, ajo ka zhvilluar fazën më intensive të përgatitjeve pikërisht në plazhin e Velipojës. Trajneri Kalaja dhe sportistët e tij kanë zhvilluar një përgatitje të mirë, shoqëruar me nga dy seanca në ditë dhe kjo përgatitje pritet t’i japë frutet e veta kur të nisë kampionati. Ekipi tashmë është kthyer në Shkodër dhe po bëhet gati për nisjen e kampionatit. Natyrisht që ka optimizëm në rradhët e gjithë sportistëve dhe tek stafi drejtues. Ardhja e Juknit, ka shtuar besimin tek suksesi dhe nuk përjashtohet mundësia që deri në fund të merkatos të ketë edhe ndonjë përforcim tjetër. Në fakt Vllaznia prej disa sezonesh vuan largimin e lojtarëve cilësorë, gjë që ka ndikuar në mosshpalljen asnjë vit kampion ndonëse i ka shkuar shumë afër. Ndoshta këtë vit, gjërat mund të marrin rrjedhë tjetër.
www.shkodrasport.com