Pas një periudhe të mirë në Romë si huazim, Romelu Lukaku do të kthehet në Chelsea në verë.Megjithatë, belgu nuk është në planet e bluve dhe do të largohet sërish nga Stamford Bridges, por kësaj radhe jo më si huazim, por do të shitet.
Gjatë qëndrimit një vjeçar te Roma, Lukaku ka bërë shumë mirë duke realizuar 21 gola dhe duke asistuar në katër të tjerë në 47 ndeshje zyrtare.Roma duket se nuk do ta blejë kartonin e belgut, megjithatë e ardhmja e Lukakut mbetet sërish në elitën e futbollit italian Serie A.
Siç raporton Calciomercato, Napoli është kthyer në një destinacion tërheqës për Lukakun. Ardhja e mundshme e Antonio Contes në skuadrën e kaltër, me të cilin Lukaku luajti te Interi, hap një skenar të ri për reprezentuesin belg, i cili nuk do të kthehet më te Chelsea.
Më tej, largimi i mundshëm i Victor Osimhen, pikërisht me Chelsean të interesuar për nigerianin, do ta detyronte Napolin të kërkonte një alternativë për sulmin, ku Lukaku ishte një opsion i provuar me performancë të menjëhershme.
Gjithsesi në rast se Lukaku nuk do t’i bashkohet Napolit, ai mund të përfundojë në Arabinë Saudite ku disa klube kanë shprehur interesim për të. Vetë futbollisti muaj më parë kur luajti një ndeshje miqësore në Arabi tha publikisht se një ditë do të jetë pjesë e Superligës arabe. /Telegrafi/