Eneo Bitri në gjashtë muaj te Banik Ostrava në Çeki, ka arritur të shndërrohet në një lojtar mjaft të rëndësishëm për skuadrën çeke dhe dalëngadalë po shndërrohet në një titullar fiks.

Megjithatë, jo çdo ndeshje shkon mirë dhe së fundmi Bitri është ndëshkuar me karton të kuq në një ndeshje ndaj Slovacko, e vlefshme për javën e dytë të kampionatit çek. Beratasi u ndëshkua me të verdhë për një faull në minutën e 5-të e më pas mori të verdhin e dytë në të 80-ën për një ndërhyrje të ashpër ndaj kundërshtarit në ndeshjen e përfunduar me shifrat 0-0.

Pas sfidës, për mediat ka folur trajneri i Slovacko, Jan Baranek, i cili është shprehur se i kishte ngritur “kurth” ish-kapitenit të Partizanit. “Ne u thamë sulmuesve se Bitri bën ndërhyrje, që janë të rrezikshme në zona të ngushta. Ndonjëherë ju thjesht vendosni këmbën atje dhe është e kuqe direkt. Nuk mund të them që ishte një qëllim taktik i yni për ta përjashtuar Bitrin, por ishte një detaj, që unë ia kam dhënë lojtarëve në stërvitje gjatë udhëzimeve të përgjithshme”, tha trajneri i Slovacko.

Nga ana tjetër, trajneri i tij e ka mbrojtur Bitrin. Pavel Hapal shprehet se Bitri në rastin e të kuqit nuk kishe faj, sepse shpëtoi ekipin nga humbja. “Bitri bëri faull dhe e meritoi kartonin e parë të verdhë. Por te i dyti nuk e fajësoj dot, sepse lojtari kundërshtar do të kishte shënuar gol. Kishte një pasim të keq në mes të fushës dhe nga aty, rivali e dërgoi topin pas mbrojtjes tonë. Nuk ishte faji i Bitrit, por i pasimit të keq”, tha Hapal.