Gara më e ndezur në këtë sezon në Superiore është padyshim ajo për mbijetesën në elitë, ku tre skuadra rivalizojnë njëra-tjetrën për të mos shoqëruar Lushnjën në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm.

Kamza aktualisht ka 4 pikë më shumë se Teuta dhe Vllaznia që e ndjekin në klasifikim, por duke pasur parasysh se ka ndeshje direkte me këto dy skuadra në fushën e tyre në javët e mbetura të Superiores,

gjithçka është e mundur dhe kjo sfidë pritet të zgjidhet vetëm në javën e fundit të kampionatit.

Skuadrat kanë filluar që tani të bëjnë llogaritë e tyre për pikët që u duhen për mbijetesën dhe çfarë u mundëson të evitojnë vendin e 9 në renditje, përfshirë edhe mundësinë kur skuadrat ta përfundojnë me pikë të barabarta sezonin.

Për momentin, skuadra më e humbur është Vllaznia, e cila ka një bilanc më të keq në duelet ndaj Teutës, me të cilën ka humbur 3 takime dhe fituar vetëm 1 në këtë sezon.

Nëse dy skuadrat do të mbyllnin sezonin si aktualisht, me pikë të barabarta, shkodranët do të ishin ata që do të binin në Kategorinë e Parë.

Sa u përket bilanceve të ndeshjeve të tjera, dueli mes Teutës dhe Kamzës përcaktohet që këtë javë, duke llogaritur që ndeshjet e mëparshme të dy skuadrat kanë marrë nga një fitore në transfertë, ndërsa një ndeshje është mbyllur në barazim.

Por sfida vendimtare për shkodranët është ajo e datës 9 maj, kur Vllaznia të presë Kamzën në fushën e vet.

Edhe në këtë rast, bilanci i këtij sezoni flet për një fitore për secilën skuadër dhe një barazim, që nuk u lë kuqebluve asnjë shteg tjetër përveç fitores duke llogaritur se janë 4 pikë pas Kamzës, ndërsa Teuta një nga ndeshjet e saj e luan kundër Lushnjës së dorëzuar për rënien. /vipsport/