Eraldo Çinari është rikthyer në qytetin e lindjes, Shkodër, menjëherë sapo skuadrat u shpërndanë më 12 mars. Sulmuesi i Partizanit ka një hapësirë të bollshme para shtëpisë për t’u stërvitur individualisht, krahas seancave “online” që bën çdo ditë me përgatitësin atletik të të kuqve.
I kontaktuar nga “Panorama Sport”, 23-vjeçari foli për këtë situatë të paprecedentë, duke prekur edhe çështjen e rrogave apo vazhdimin e kampionatit, ndërsa për lexuesit e “Panoramasport.al” tregoi edhe një video nga seancat individuale që bën në hapësirën rreth shtëpisë. Autori i 5 golave në 25 ndeshje të luajtura me “demat” këtë kampionat, mendon se përtej krizës që mund të ketë, futbollistët duhen paguar në bazë të kontratës që kanë nënshkruar.
Eraldo, si është të qëndrosh i mbyllur në shtëpi dhe të mos bësh dot normalisht atë stërvitjen e përditshme?
Është një situatë që nuk e kam përjetuar asnjëherë, qoftë unë apo edhe shokët e mi futbollistë më përpara. Me të vërtetë e çuditshme për një sportist të qëndrojë kështu i mbyllur…! Nuk më ka ndodhur ndonjëherë të rrijë kaq gjatë në shtëpi, por megjithatë gjithmonë mundohem të jem në aktivitet sportiv dhe fizik. Kjo diçka e pazakontë uroj të zgjidhet shpejt.
Gjithsesi, po zhvilloni stërvitje individuale në Shkodër…?
Pavarësisht se ne po stërvitemi me program “online” me ekipin dhe përgatitësin tonë atletik, nuk është e njëjta situatë si të përgatitesh në kushte të mirëfillta stërvitore. Megjithatë, nuk kam se çfarë të bëj, do t’i përshtatemi situatës. Mundohem në ambjentin që kam rreth shtëpisë të bëj stërvitje ekstra, aq sa më lejohet.
Partizani është larg pritshmërive këtë sezon. Si mendoni se do të vazhdojë ky kampionat?
Vazhdimi i kampionatit varet nga ajo çfarë do të vendosë UEFA dhe Federata jonë. Unë si lojtar kam dëshirën që kampionati të rifillojë, sepse në fund të fundit ai është profesioni jonë dhe gjithçka duhet ta zgjidhim në fushë. Shpresoj të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë dhe kjo situatë të kalojë pa pasoja të mëtejshme për popullin tonë apo edhe për njerëzit në çdo vend të botës.
Ka një çështje për rrogat, edhe pse FSHF vendosi që t’u shpërndajë çdo futbollisti nga 300 mijë lekë të vjetër. Çfarë prisni të ndodh në këtë situatë?
Mendimi im personal është se nuk duhen prekur rrogat e futbollistëve. Kjo është një situatë e pazakontë, por edhe futbollistët mbajnë familjet me ato rroga. Në fund të fundit janë punëtorë. Por këto janë vendime që i merr klubi dhe si unë, ashtu edhe shokët e mi, jemi në pritje të vendimeve nga ana e drejtuesve.