Merkatoja e verës varet nga për fundimi i sezonit aktual, i cili prej javësh është pezulluar nga pandemia e “COVID-19” që ka përfshirë thuajse gjithë rruzullin tokësor. Gjithsesi, klubet kanë nisur prej kohësh punën për përforcimet e skuadrave për sezonin 2020-2021. Në këtë vorbull zërash është edhe sulmuesi anësor i Partizanit, Erald Çinari, që flitet se është shumë pranë kalimit te turqit e Menemensporit.

Kategoria Superiore është shndërruar në një “supermarket” për klubin e Ligës e Parë turke, ku aktivizohen edhe dy futbollistët shqiptarë, portieri Gentjan Selmani dhe mbrojtësi David Domgjoni. “Haberturk.com” raporton se futbollisti shkodran është pranë arkondit me klubin turk, teksa në fund të sezonit pritet që akordi të finalizohet me sukses.

Sipas kësaj medie turke, lojtari i Partizanit do të jetë lëvizja e parë që Menemenspor do të bëjë në merkaton e verës, pasi ata e quajnë të kryer akordin mes palëve. Nuk është hera e parë që Çinarit i del emri te ky klub turk, pasi edhe në janar u përfol për një interesim të tyre për 23-vjeçarin shkodran.

KONFIRMIMI

Në lidhje me këtë lajm, “Panorama Sport” kontaktoi futbollistin shkodran, i cili në prononcimin e tij e ul marzhin e kalimit te Menemenspori, pasi nuk ka diçka konkrete. “Nuk është hera e parë që flitet për mua për një kalim të mundshëm te Menemenspori.

Sa i përket lajmit se gjithçka është mbyllur, mund të them se kjo nuk qëndron, pasi bëhet fjalë thjesht për një interesim, i cili vijon prej kohësh nga klubi turk. Ndaj, edhe në këto momente situata është në kuadrin e interesimit, jo se ka akord final mes palëve”, u shpreh Erald Çinari për “Panorama Sport”.

PRAPASKENA

Partizani e bëri të tijin 23- vjeçarin para dy sezonesh, duke paguar rreth 60 mijë euro te Vllaznia për kartonin e lojtarit. Në atë kohë Çinari kishte një akord me spanjollët e Alaveshit, që e huazuan në Kroaci, por kalimi nuk u finalizua kurrë për shkak se Vllaznia kërkoi dëmshpërblim për kartonin e lojtarit.

Në këto kushte, të kuqtë u treguan të shpejtë dhe bënë të tyrin Çinarin, duke paguar vlerën e kërkuar nga klubi shkodran. Sulmuesi është nën kontratë me Partizanin dhe nuk mund të largohet pa pëlqimin e klubit të kuq.

Turqit e Menemensporit e duan me insistim shkodranin e kuq, por “Panorama Sport” ka mësuar edhe prapaskenën pse nuk është realizuar deri tani ky transferim. Mësohet se turqit i afrojnë shumë pak Partizanit për kartonin e Çinarit, jo më shumë se 30 mijë euro, që i bie sa gjysma e asaj që kanë pagur te Vllaznia.

Në këto kushte, Partizani nuk ka asnjë shans që ta lëshojë Erald Çinarin, pasi shuma është qesharake. Partizani pretendon që minimalisht të përfitojë 10- fishin e asaj që ofron Menemenspori për 23-vjeçarin.