Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, ishte titullar me Kombëtaren në miqësoren që Shqipëria barazoi 1-1 në Abu Dabi kundër Arabisë Saudite. Mbrojtësi shkodran ka folur për “Panorama Sport” për emocionet me fanellën kuqezi.
Poashtu, ndër të tjera, kapiteni i Vllaznisë u shpreh se do të jetë i gatshëm gjithmonë për Kombëtaren, ndërsa theksoi se kishte një dëshirë shumë të madhe që të tregonte vlerat e tij.
Më parë, Gurishta ka qenë pjesë e ekipit U-21 të Shqipërisë, teksa ka zhvilluar gjashtë ndeshje në vitin 2015. Ndërkohë që, tashmë rikthehet të luajë me Kombëtaren A në moshën 27-vjeçare.
“Sigurisht që, të veshësh bluzën e Kombëtares është një emocion i madh, kënaqësi dhe përgjegjësi. Përderisa të jepet mundësia të luash, duhet të japësh maksimumin, sepse me Kombëtaren nuk ka asnjëherë ndeshje miqësore.
Me Arabinë Saudite ishte një ndeshje shumë e mirë nga ana jonë. Jemi paraqitur mirë në fushë dhe të them të drejtën, do të kisha pasur shumë dëshirë që të transmetohej, që ta ndiqnin të gjithë paraqitjen tonë, sepse vërtetë luajtëm mirë.
Titullar si qendërmbrojtës? Mund të them se për mua nuk është një rol i ri, sepse shumë kollaj mund të përshtatem edhe me tre qendërmbrojtës. Kjo edhe për faktin se disa herë kam luajtur edhe tek ekipi im Vllaznia, kur është dashur që të zhvendosëm në qendër.
Të luash me rivalë si Bitri dhe Marku në krah, e çuditshme? Në kampionatin shqiptar jemi rivalë, por në Kombëtare këtë herë ishim partnerë. Nuk e di, nuk m’u duk shumë e çuditshme, sepse të gjithë e dimë që jemi duke luajtur për Kombëtaren dhe secili prej nesh duhet të bëjë më të mirën.
Të them të drejtën, nuk kemi pasur shumë seanca në dispozicion, por gjithsesi të gjithë çunat janë stërvitur me impenjim dhe dëshirë, sepse për shumë nga ne ishte hera e parë që na vinte ftesa dhe dëshira ishte shumë e madhe për gjithsecilin që të tregonte vlerat e tij.
Unë do të jem i gatshëm kurdoherë dhe do të jap maksimumin për fanellën e kombit tim sa herë të më jepet mundësia dhe uroj që ftesa të vijë përsëri edhe në grumbullimet e tjera”,-mbylli prononcimin e tij, kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta.
Maringlen ZHIVANI