Vllaznia do rikthehet ditën e nesërme në fushën e lojës në kuadër të javës së 10-të të Superiores. Kuqeblutë do presin në “Loro Boriçi”, ekipin e Erzenit, takim që do zhvillohet në orën 16:45. Patjetër objektivi për ekipin e Joses është fitorja, kjo duke qenë në shtëpi, por edhe për të krijuar vazhdimësi në rezultate.

Kundër shijakasve nuk do jetë aspak e lehtë, duke parë formën që po kalon ekipi i drejtuar nga Kapllani. Ku skuadra ndodhet në vendin e dytë të renditjes me 15 pikë, duke qenë surpriza e këtij edicioni deri më tani. Por për Vllazninë fitorja nuk është i vetmi objektiv, por edhe afrimi i tifozëve në shkallët e stadiumit.

Sportdashësit shkodranë ishin të pakët në numër në ndeshjen e fundit kundër Bylis, të fituar në shifrat 2-1. Rezultatet e fundit, por edhe loja jo në nivelin e duhur e shkodranëve duket se ka “larguar” disi tifozët nga stadiumi, që patjetër kërkojnë shumë më tepër nga skuadra. Duke parë edhe cilësitë që mban ekipi kuqeblu.

Pavarësisht se ndoshta ka pasur një “ftohje” së fundmi, tifozët e Vllaznisë mbesin rekord në Superiore. Pasi janë të vetmit që mesatarisht janë nga 2800-3000 vetë në shkallët e stadiumit kur luan ekipi i tyre. Prandaj për Vllazninë jo vetëm është detyrë për të fituar kundër Erzenit, por shkodranët duhet të fitojnë edhe tifozët në ndeshjen e nesërme.
Endri ÇINARI