Memfis Depaj u prezantua ditën e djeshme si lojtari më i ri i Barcelonës. Sulmuesi holandez firmosi kontratën deri në vitin 2023 në stadiumin “Camp Nou” dhe foli përpara gazetarëve duke treguar emocionet për këtë arritje të madhe në karrierë.

BARCELONA- “Është një nder i madh për mua dhe një ëndërr e bërë realitet. Ka pasur bisedime shumë të gjata për të arritur në këtë ditë, por dëshira ime ka qenë e madhe. Dua të falënderoj presidentin. Më në fund jam te Barcelona. Jam i sigurt që do të bëjmë gjëra të mëdha, sepse si unë, ashtu edhe klubi, kemi të njëjtin pasion”.

STADIUMI- “Të bëja ëndrrën realitet është diçka e jashtëzakonshme. Kam shumë dëshirë të luaj në këtë stadium. Skuadra është gati për sezonin. Ka ardhur momenti që të punojmë dhe të fitojmë trofe të rëndësishëm. Edhe trajneri më ka ndihmuar shumë që unë të vij këtu”.

MESI- “Kam shumë dëshirë që të luaj përkrah Leos. Unë jam fans i madh i tij. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe do të më pëlqente të bëja ato që bën ai. Bëra një shëtitje në muzeun e klubit dhe pashë ‘Topat e Artë’. Sigurisht që do të vendosë edhe një tjetër aty. Është nder për mua që të luaj me të”.

KUMAN- “Sigurisht që ishte i rëndësishëm në këtë tratativë. Ai më ka ndryshuar karrierën duke më aktivizuar si sulmues i parë. Më ka bërë të ndihem komod në këtë pozicion. Kuman më ndihmoi që të transferohesha te Barcelona. Më bindi që në sezonin e kaluar, por tani u bë realitet”.

KONTRATA- “Nuk shqetësohem fare për këtë aspekt. Barcelona do të më përfshijë në listë dhe do të më federojë. Unë jam këtu për të fituar trofe. Pjesa tjetër nuk më takon mua, por jam i bindur që do ta zgjidhin”.