Armando Vajushi sot ka lënë qytetin e tij- Shkodrën e ka marrë rrugën drejt Bullgarisë. Aty ku nesër pritet të firmosë kontratën e re me ekipin Liteks Lovech. Kanë mbetur për t’u bërë vetëm vizitat mjekësore dhe më pas direkt e tek momenti i firmosjes së kontratës. Uliks Kotrri, menaxheri shkodran që ka ndërmjetësuar për këtë lëvizje të Vajushit sëbashku me menaxherin tjetër Kosta Grillo, bën të ditur se nuk ka asnjë pengesë për firmosjen e kontratës. Duke folur ekskluzivisht për gazetën online “shkodrasport.com”, ai ka bërë të ditur detaje rreth bisedave të bëra me drejtuesit e klubit bullgar.

“Sëbashku me menaxherin tjetër Kosta Grillo, ndërmjetësuam bisedimet me drejtuesit e Liteksit për transferimin e Vajushit tek kjo skuadër. Bisedimet janë mbyllur me sukses para ndërrimit të viteve dhe tashmë ka mbetur vetëm firmosja e kontratës më datë 4 janar. Do kryhen edhe vizitat mjekësore dhe më pas direkt e tek firma”-ka shpjeguar Kotrri. Po ashtu, ai ka dhënë edhe disa detaje të kontratës që pritet të nënshkruhet mes palëve ditën e nesërme kur shton: “Kontrata do jetë trevjeçare. Klubi Vllaznia do marrë 100 mijë eurot e kartonit për ta lënë të lirë Vajushin ndërsa për shumën që do përfitojë lojtari nuk kam dëshirë ta bëj publike edhe ngaqë nuk është fikse sepse varet nga rrogat, premiot dhe numri i ndeshjeve që do luajë Armandoja. Por shumë pozitive do të konsideroja në këtë kontratë edhe pikën për të cilën kemi rënë dakord, që në rast rishitje të këtij lojtari brenda këtij afati trevjeçar, ai do përfitojë edhe 10 për qind të shumës së shitjes”. Por si e gjykon Kotrri firmosjen e Vajushit në kampionatin bullgar? Ai mendon se është një kampionat ku ai do përmirësohet shumë dhe një lëvizje e tillë do jetë shumë efikase prandaj shton: “Vajushi ka patur oferta edhe nga kampionati gjerman apo kroat me skuadrat me të cilat ai ka qenë pranë firmosjes në vere. Por unë mendoj se firmosja me Liteks, mund të konsiderohet një lëvizje shumë e mirë për këtë sportist.Këtu do jetë fillimi i karrierës së tij si profesionist dhe kampionati bullgar është shumë herë më i fortë se ai shqiptar. Ka më shumë profesionalizëm, më shumë përgjegjësi e njëkohësisht, më shumë fitim. Shpresojmë shumë që Armandoja ta prezantojë ashtu siç duhet futbollin shqiptar në këtë klub ku më parë kanë luajtur edhe dy futbollistët e kombëtares tonë, Alban Bushi dhe Altin Haxhi. Klubi i Liteksit është shumë profesionist dhe ka emër të mirë jo vetëm në Bullgari por edhe më gjerë”.

 

www.shkodrasport.com

Në foto: Menaxheri Uliks Kotrri me gazetarin Gjergj KOLA