Shpëtim Duro nuk është më trajner i Laçit. “Panorama Sport” kontaktoi dje me trajnerin dhe ky i fundit konfirmoi diçka të tillë.

“Duke marrë shkas nga ajo që ndodhi në ndeshjen e kthimit me Petrokubin dhe veçanërisht nga ai shpërfytyrim në 30 minutat e fundit, kam vendosur të mos vazhdoj më bashkëpunimin me Laçin. Të jem i sinqertë, jam mërzitur shumë. Në tri ndeshjet e para ishim një ekip në ekuilibër të plotë dhe nuk pësuam asnjë gol. Nuk e kuptova atë shpërfytyrim pas barazimit 1-1 ku pësuam edhe tre gola të tjerë. Ky është një vendim i pakthyeshëm që e kam marrë që para dy ditësh me veten time. Respekt për të gjithë në klubin e Laçit, kemi kaluar dy sezone fantastike me rezultate të mëdha dhe historike. Zhgënjimi i vetëm është që nuk kaluam këtë tur të dytë me ekipin moldav”, ka thënë ekskluzivisht për gazetën trajneri Duro.

SUKSESI DHE ZHGËNJIMI Nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, Laçi vjet shkroi historinë në Kupat e Europës duke shkuar deri në turin e tretë të Ligës së Konferencës, ndërsa në edicionin e fundit kurbinasit u shpallën nënkampionë të Superiores.

Në prononcimin për gazetën trajneri kryeqytetas tregon sukseset dhe zhgënjimin që i solli eliminimi nga moldavët e Petrokubit, që për Duron ishte një kundërshtar i kalueshëm, por i tillë është futbolli.

“Jam i zhgënjyer, pasi mund ta kalonim edhe turin e dytë në ligën e Konferencës ndaj Petrokubit, por kështu ndodh dhe futbolli i ka këto. Gjithsesi, duhet pranuar se në dy vite në drejtimin e Laçit në Europë bashkë më futbollistët kemi arritur të derdhim në arkën e klubit rreth 1 milion e gjysmë euro nga ecuria në Ligën e Konferencës. Vjet patëm një arritje historike duke shkuar deri në raundin e tretë, ndërsa këtë sezon u eliminuam në turin e dytë. Gjithsesi, kam bërë histori me Laçin, ku këtë për herë të parë dolëm nënkampionë dhe si objektiv për këtë vit në Europë klubi kishte kalimin e turit të parë në Ligën e Konferencës, por mundësitë ishin për ta kaluar edhe turin e dytë dhe për të përsëritur suksesin e edicionit të shkuar. Për mua është një eksperiencë e jashtëzakonshme në dy vitet e fundit me Laçin për vetë sukseset e arritura me këtë klub. Çdo fillim e ka një fund dhe këto janë idetë e mia, pavarësisht se çfarë mendojnë drejtuesit. Me mirëkuptim po largohem dhe i falënderoj të gjithë në klub dhe tifozët që më kanë përkrahur. Besoj se ua kam shpërblyer atyre në këto dy vite fantastike. Futbolli kështu është, sot je në majë, pas dy javësh futesh në ‘dhé’. Këtë vendim e kisha marrë me veten time që pas ndeshjes, por nuk e bëra publik, pasi doja që të qetësoheshin gjërat”, u shpreh Shpëtim Duro, pas dorëheqjes pa kthim nga skuadra e Laçit, për të cilën shkak u bë shpërfytyrimi i skuadrës në 30 minutat e fundit të ndeshjes së kthimit me Petrokubin./PANORAMA-SPORT/