Veleçiku ka marrë një fitore shumë të rëndësishme sot në tranfertë ndaj Vorës dhe me këtë trepikësh ajo tashmë arrin edhe objektivin e saj për të siguruar qëndrimin në kategorinë e parë.

Por jo vetëm kaq. Koplikasit me fitoren e sotme kanë konsoliduar pozitat e tyre në vendin e gjashtë në renditje dhe padyshim që do të tentojnë ta mbajnë atë deri në fund.

Për Veleçikun përcaktues ka qenë goli i shënuar nga mesfushori Arsen Banushaj që në minutën e 11-të të ndeshjes dhe më pas, pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve, nuk ka patur gol tjetër.

Përfundimisht 1-0 për Veleçikun që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 23 pikëve duke mbajtur vendin e gjashtë të renditjes dhe është plot 9 pikë larg Shënkollit të vendit të parafundit, vend ky që shkon në play-out.

Kjo do të thotë se tashmë djemve të drejtuar nga Besnik Duli do u mjaftojë edhe vetëm një pikë në dy ndeshjet e ardhshme (gjithnjë nëse Shënkolli do t’i fitonte të tre ndeshjet e mbetura) dhe në këtë mënyrë do të siguronte objektivin e saj.

Kjo padyshim që është një arritje për këtë skuadër e cila ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe e meriton të jetë në kategorinë e parë edhe për sezonin e arshshëm.
© shkodrasport.com