Ai është 18 vjeç e gjysëm por prej vitesh emri i tij spikat në sportin e shahut në Shqipëri. Franc Ashiku është shkodrani që vlerësohet nga të gjithë si e ardhmja e këtij sporti në vendin tonë. Ndonëse është në këtë moshë, ambicjet e tij janë të mëdha. Madje për vitin në të cilin sapo kemi hyrë, ai ka projekte të mëdha, teksa ai pretendon shpalljen kampion me të rriturit. Këtë objektiv ai e ka bërë të diur në këto ditë të para janari, ekskluzivisht për gazetën sportive online “shkodrasport.com” kur ka thënë: “Objektivi im për vitin 2012 është me dalë kampion i Shqipërisë me të rriturit.Besoj se tashmë jam gati për ta synuar një gjë të tillë dhe prandaj do stërvitem intensivisht gjatë këtyre mujave për ta arritur këtë gjë. Njëkohësisht, gjatë këtij viti do zhvillohet edhe kampionati botëror për 20 vjeçarët dhe shpresoj të dal sa më mirë edhe aty”. Planet janë bërë. Puna ka nisur dhe prandaj këtij djaloshi i duhet besuar deri në fund. Ai duhet të ketë edhe mbështetjen e klubit Vllaznia, klub të cilin nuk e ka tradhëtuar kurrë ndonëse ka pasë gjithnjë oferta. Nuk ka ndër mend ta bëjë as në vazhdim megjithatë, çdo durim mund të ketë një fund. Francit sigurisht që nuk i ka ardhur mirë për mosqënien në 10 sportistët më të mirë të vitit 2011 të shpallur nga klubi shumësportësh Vllaznia. Ka marrë thjesht një diplomë si shahisti i perspektivës dhe kaq. Megjithatë Franci nuk është prekur shumë nga ceremonia e dhjetorit që sapo lamë pas. Ai jep një shembull të para dy vitve kur ka qenë më i mirë në kontinent për 16 vjeçarët dhe sërish nuk ka qenë në 10-shen e më të mirëve .”Ndoshta edhe nuk pretendoja shumë për të qenë në 10 sportistët më të mirë të vitit që shkoi sepse nuk kam marrë pjesë edhe në shumë gara ngaqë më tepër i jam përkushtuar provimeve të maturës. Megjithatë edhe mund të isha pjesë e asaj ankete nëse do kishte një shpërndarje më të mirë të gjithë sporteve. Por nëse nuk isha në 10-she këtë herë, e përsëris nuk më mbeti shumë hatri. Në vitin 2009 kam dalë Kampion i Kupës së Europës për 16 vjeçarë dhe prapë nuk kam qenë në 10-shen e më të mirëve duke futur në vendin tim sportistë që kishin zënë vende të dyta apo të treta në sportet e tjera. Atëherë po, që jam mërzitur disi por prapëseprapë unë vazhdoj punën e tij dhe do luftoj shumë për t’u shpallur kampion i Shqipërisë me të rriturit këtë vit”-thotë në fund të prononcimit të tij shahisti i Vllaznisë Franc Ashiku.

www.shkodrasport.com