Mario Gjata, një nga afrimet e shumta të verës te Dinamo, duket se është largimi i radhës nga kjo skuadër.Nuk kemi të bëjmë ende me një vendim zyrtar, por “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta se sulmuesi fierak do ta mbyllë këtu bashkëpunimin me blutë, për të kaluar në një skuadër tjetër, ku mund të ketë më shumë hapësira.
Gjata ka luajtur shumë pak minuta me Dinamon, pasi ai pësoi një dëmtim kur ishte i grumbulluar me Kombëtaren U-21 dhe iu desh një kohë e gjatë për ta kaluar.
Sulmuesi i ri u aktivizua në pak ndeshje si zëvendësues, ndërkohë që ishte vërtet pa fat, pasi pësoi edhe një tërheqje muskulore, që e la jashtë skuadre në takimet e fundit të 2021-shit.
Përveç tij, nga Apolonia erdhën edhe portieri Romeo Harizaj, Rimal Haxhiu dhe Redon Mihana.
Me largimin e Gjatës do të shkonte në 3 numri i sulmuesve që kanë ikur nga blutë ditët e fundit, pas Enis Gavazajt dhe Xhuliano Skukës, ndërsa të larguarit në total do të bëheshin 6, sepse të njëjtën rrugë kanë ndjekur edhe Marin Abazaj, Kevi Berberi dhe Rei Nuriu.
Në anën tjetër, afrimi i vetëm zyrtar deri tani është ai i Sabien Lilajt, i cili rikthehet në kampionatin shqiptar me fanellën blu pas eksperiencës së fundit me Prishtinën.