Tirana mes shumë problemeve ka edhe Majkëll Ngonë. Sulmuesi anglez, i cili erdhi me bujë në verë për të bërë liderin në skuadër, është shumë larg pritshmërive. Futbollisti duhet të ishte shpatull mbështetëse për Seferin e Xhixhën, por këta të fundit kanë bërë më mirë se anglezi.

Ngoja shënoi një dygolësh në sfidën hapëse të kampionatit, ndërsa shtatë javë që ka luajtur në Superiore nuk ka mundur të tundë më rrjetën.

Në një sfidë ai nuk ka luajtur fare për shkak të kartonëve. Shterpësi edhe në ndeshjet e Kupës me 2 sfida të luajtura dhe 155 minuta në fushë. Në total janë dhjetë ndeshje në fushë nëntë pa gola. Në kampionat dhe Kupë ka luajtur 722 minuta, por vetëm dy herë ka tundur rrjetën.

Një mesatare shumë e ulët në krahasim me sezonin që bardheblutë fituan titullin. Duket qartë se Ngoja duhet të punojë shumë, sepse nuk është në formën optimale. Gjatë gjithë fazës së parë ka pasur oshilacione, ndërsa Seferi e Xhixha po bëjnë goxha mirë. Në këtë moment që flasim, Tiranës i duhet Ngoja. Duhet të kthehet lideri i skuadrës që të tërheqë për dore bardheblutë drejt titullit kampion.

Ngo është një nga afrimet më të bujshme të Tiranës këtë merkato, për vetë kontributin e mëparshëm te bardheblutë dhe njohjen që ka me kampionatin shqiptar dhe specifikat e tij.

Vetë Ngo ka zbuluar kohë më parë edhe arsyen e rikthimit te bardheblutë: “U riktheva te Tirana për dy arsye. E para, për tifozët, që janë të mrekullueshëm, ndërsa e dytë, për eksperiencën që kam pasur këtu, ku kam bërë shumë mirë”.

E KALUARA – Sulmuesi anglez para këtij kampionati qëndroi tri sezone te bardheblutë, por palët nuk ia dolën të rinovonin në fillim të gushtit 2020.

Me 13 gola dhe më shumë se 15 asiste, Ngo ishte parvjet titullar i padiskutueshëm, por që prej largimit nga Tirana luajti pak kohë në Qipro.

Ngo ishte në dhjetor 2020 në Shqipëri për të arritur një marrëveshje të dytë me bardheblutë, por që nuk u arrit, sepse palët ishin larg me pretendime financiare dhe ato jashtë fushe. Në korrik 2021 firmosi me Tiranën, për një vit.