Në Angli prej 4 vitesh, Ergys Pepaj ka nisur një karrierë e cila pritet të jetë e suksesshme megjithatë, pengesa kryesore për momentin e futbollistit nga Vraka është mungesa e dokumentacionit të duhur të qëndrimit në këtë vend.

Kjo gjë e ka penalizuar jo pak, megjithatë mesfushori pritet që shumë shpejt të hedhë hapa të rëndësishëm në karrierën e tij. Aktualisht Ergysi luan me ekipin U18 të Cochfosters, por njëkohësisht luan edhe për ekipin e parë të këtij klubi që merr pjesë në ligën gjysmëprofesioniste.

Pepaj që sot mbush 18 vjeç (datëlindja 24 prill 2002) po punon fort për të ngjitur shkallët dhe gjasat duken të mira në këtë drejtim. Natyrisht ai ka se çfarë të marrë edhe nga babai i tij, i mirënjohuri Selami Pepaj, megjithatë ky i fundit ka dëshirë kuptohet që ta shohë të birin shumë më lart në karrierë.

Menaxheri i tij është duke punuar për ta transferuar në një skuadër tjetër dhe ndoshta edhe jashtë Anglisë. Kontaktet janë dhe ka shpresa që Pepaj mund të vijojë të luajë në Spanjë por e rëndësishme për momentin është sigurimi i dokumentacionit.

E rëndësishme është që për momentin ka sinjale të mira në lidhje me lojën e këtij mesfushori shumë teknik që ka një gjuajtje të kalibruar dhe për rrjedhojë është edhe autor i shumë golave të shënuar. Gazeta “Shkodra Sport” i uron suksese në karrierë Ergys Pepajt!
© shkodrasport.com