Ish-bashkëshortja e futbollist Blerim Xhemaili, Erjona Sulejmani po shijon lirinë dhe ndihet e lumtur pas ndarjes nga mesfushori me origjinë shqiptare.

E ftuar në emisionin “Top Show Magazine” në “Top Channel”, bukuroshja foli për gjithçka, nga kënaqësia deri tek privilegjet dhe disavantazhet e martesës me një futbollist, si dhe zbuloi edhe arsyen e ndarjes me Xhemailin.

Sulejmani ka lindur në Shkodër, por që kur ishte 10 vjeç shkoi në Itali. Ajo tregon se si arriti të pushtojë faqet e gazetave më prestigjoze në botë.

Erjona, si u njohët me Blerim Xhemailin?

Ne jemi njohur bashkë në Milano, para rreth 5 vitesh, ishte dashuri me shikim të parë. Nuk e dija që ishte futbollist, më kishte shkruar që ishte gazetar dhe donte të më bënte një intervistë.

Kur u takuam, u habita sa i bukur ishte dhe më pas më tha që nuk ishte gazetar. Nuk merrja fare vesh nga futbolli dhe as nga futbollistët.

Më pas u lidhëm bashkë, u martuam, kemi një fëmijë. Kemi bërë 3 dasma, një në Shkodër, sepse jam shkodrane. Dasma e dytë në vendlindjen e tij dhe më pas dasma e tretë në Tetovë, me shoqërinë e të afërmit.

Si ndryshoi jeta jote pas martesës?

Natyrisht, martesa ndryshon shumë gjëra, futbollisti lëviz gjatë gjithë kohës, ndeshjet, transferimet, e kam ndjekur në çdo ekip ku ka shkuar, u ktheva në shtëpiake, pasi nuk kisha mundësi të vazhdoja të punoja.

U mora me jetën e përditshme, punët, fëmijën, por puna më mungonte shumë. Nuk mund të jetosh pa punë, thjesht në shtëpi, pa pasur asnjë gjë për të bërë.

Kam refuzuar gjithë paratë prej tij, nuk dua asgjë prej tij, kam rifituar gjithçka me forcat e mia.

Procesi i divorcit është ende i hapur, nëse Blerimi do paguajë, do ta bëjë vetëm për rritjen e fëmijës së tij, unë nuk kam kërkuar asgjë prej tij.

Pse u ndave me Blerimin?

Në Itali isha si në një kafaz të artë. Kisha paratë, por jo lumturinë. Kam bërë shumë gjëra për të cilat jam penduar, kam refuzuar kontrata pune për hir të dashurisë.

“Isola dei famosi”, “Grande Fratello VIP”, programe mjaft të ndjekura në Itali, jam detyruar t’i refuzoj. Kur u njohëm me Blerimin, ishim shumë të lirshëm, sepse unë punoja si modele.

Deklaratat e tua për futbollistët kanë hapur shumë debate, kush e la tjetrin?

Nuk i njoh të gjithë, nuk kam provuar futbollistë, të mos ngatërrohemi, por njoh shumë nga bashkëshortet e tyre, ne bisedojmë gjithnjë.

Kam thënë që ‘nuk kam njohur bashkëshorte futbollistësh të kënaqura nga partnerët’, por më pas deklarata u transformua në media.

Nuk ishte një deklaratë që ndikoi në marrëdhënien mes nesh, nuk ka lidhje, marrëdhënia ishte në krizë prej kohësh. Nuk ka rëndësi kush e la tjetrin, por pas marrjes fund të lidhjes ka pasur shumë fjalë e deklarata, ndaj mund të them që e kam lënë unë.

Si ndihesh tani?

Tani jam e lirë, liria dhe lumturia nuk blihen me lekë. Paraja është rëndësishme në jetë, por jo gjithçka, nuk të jep lumturi.

Askush nuk duhet të ndihet totalisht e varur nga një person, unë nuk kisha zgjedhje tjetër sepse ne lëviznim çdo 6 muaj ose një vit nga një klub në tjetrin.

Tani jam e lumtur që kam një fëmijë, por nuk ia vlen absolutisht të jesh e martuar me një futbollist. Vajzat ëndërrojnë futbollistët, por nuk ua këshilloj të mendohen mirë, të mos shkojnë pas famës.

Kam shkruar edhe një libër në lidhje me këtë gjë, që do të botohet së shpejti. Do të flas për historinë time, do të them gjithçka kam parë në botën e futbollit, duke mësuar shumë gjëra gjatë martesës sime me Xhemailin. /EDS/