Një nga peshëngritësit më të mirë në historinë e Vllaznisë por edhe të vendit tonë Erkand Qerimaj në një lidhje telefonike në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa ka folur edhe për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve dhe shtyrjen e Olimpiadës për vitin e ardhshëm.

“Mendoj se shtyrja e Olimpiadës për vitin e ardhshmë besoj se ka qenë zgjidhja më e mirë në këto momente sepse më shumë se gjithçka tjetër në këto momente, ka rëndësi shëndeti i njerëzve.

Ende nuk e dimë se si do të vijojnë gjërat sepse ka dilema edhe për kampionatin Europian që është planifikuar për t’u zhvilluar në qershor megjithatë deri tani nuk ka asnjë informacion nëse do të zhvillohet apo jo. Nëse zhvillohet sigurisht që objektivi im do të jetë zona e medaljeve dhe sigurimi i normës për në Olimpiadë”.

I pyetur ndërkohë nëse ndjehet i plotësuar me atë çfarë ka arritur deri tani në karrierën e tij, Qerimaj do të përgjigjej: “Kam arritur shumë gjëra deri tani, megjithatë besoj se kam ende për të dhënë dhe mendoj se mund të marrë të tjera medalje dhe të arrij të tjera suksese”.
© shkodrasport.com