Ditët e fundit është përfolur për një largim të mundshëm të trajnerit Ernest Gjoka nga Skënderbeu dhe burime të ndryshme e lidhin këtë gjë me mundësinë e uljes së tij në pankinën e Partizanit. Por duket se në këtë histori, nuk ka shumë të vërteta.
Si rrjedhojë, Ernest Gjoka do të vazhdojë të drejtojë si trajner ekipin e Skënderbeut që këtë sezon përfaqësohet në kategorinë e parë por me ecurinë e sukseseve që ka aritur deri tani duket se e ka të sigurt ringritjen e shpejtë në Superiore.
Tekniku ka mohuar prerë largimin si kreu i pankinës korçare pas zërave të përhapur së fundi se ka ofertë nga klubi i Partizanit dhe në marrëveshje me Presidentin Ardian Takaj mund të tërhiqet nga drejtimi i ekipit korçar.
Burime të siguruara pranë teknikut Gjoka bëjnë me dije se ai ka deklaruar se “kam një kontratë dhe projekt afatgjatë me klubin Skënderbeu, e në këto rretha parashikoj të qëndroj gjatë në Korçë”.
Mbi të gjitha, Gjoka ka vlerësuar marrdhëniet shumë të mira me Presidentin Ardian Takaj, duke shuar kështu supozohet për largim nga Skënderbeu.(korça-boom)