Kampionati do të tregojë nëse ndryshimet e shumta të Kastriotit në këtë merkato të dimrit kanë qenë zgjidhja e duhur për skuadrën apo një gabim.

Gjithsesi ende nuk është mbyllur kjo hapësirë e shitblerjeve dhe priten disa afrime që do të shtonin konkurrencën në ekip, konkurrencë që nuk e frikëson aspak futbollistin nga Kopliku Ersil Ymerin, përkundrazi, mesfushori mirëpret çdo futbollist të ri te Kastrioti.

Konkurrenca është gjithmonë në të mirë të ekipit, pasi nxit çdo lojtar të japë më të mirën e tij. Trajneri ka folur me drejtuesit më të lartë dhe besoj se do të ketë edhe disa afrime të tjera.  

Krutanët ndodhen në pozicionin e fundit me 7 pikë distancë nga Luftëtari i vendit të 8-të, megjithatë, pavarësisht diferencës, Ymeraj ka ende shpresë për qëndrimin e Kastriotit në elite.

Jam i kënaqur me performancat e mia. Shpresoj që kontributi im të vlejë për mbijetesën. Është e vështirë, por matematika na e lejon.

Kastrioti po vijon në mënyrë intensive fazën përgatitore nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli dhe shenjat e para pozitive u shfaqën në miqësoren ndaj Teutës, ku krutanët barazuan me rezultatin 1-1.