Mesfushori i Kamzës, Ersil Ymeraj, ka dalë nga Akademia e Vllaznisë. Ai është rritur në Shkodër, por ka përjetuar kulmin e karrierës me ekipin e presidentit Naim Qarri. Shkodrani po luan sezonin e 4 me kamzalinjtë, ndërsa kjo javë do ta vendosë përballë skuadrës së qytetit të tij, Vllaznisë. Ymeraj në prononcimin e tij për portalin Eduasportin.com tregon se është profesionist dhe se ekipi i tij do të shkojë në Shkodër për të marrë 3 pikët.

Pavarësisht se i vjen keq për pozitat që ka Vllaznia në tabelën e klasifikimit. “Të jesh rritur në Akademinë e Vllaznisë dhe të vijë momenti që të luash kundër tyre është një ndjesi e veçantë. Mendoj se është fatkeqësi për futbollin shqiptar të shohë gjendjen që po kalon Vllaznia. Nuk besoj se Vllaznia do të rrezikojë të bjerë nga Kategoria, pasi i ka lojtarët për të qenë më lart se pozitat aktuale”, – shprehet fillimisht Ymeraj. Më tej, shkodrani flet edhe për gjendjen momentale të Kamzës. Ai beson se skuadra e tij do të reagojë mirë edhe pse vjen pas dy humbjeve. “Pavarësisht dy humbjeve në kampionat dhe në Kupë, ekipi gëzon një gjendje shumë të mirë psikologjike dhe jemi shumë të motivuar për ndeshjen kundër Vllaznisë. Do japim maksimumin për të dalë me pikë. Më vjen keq për Vllazninë, por dua ta sfidoj këtë sfidë”, – përfundon Ymeraj.