Gazetari i njohur sportiv Ervin Baku, foli në edicionin e lajmeve në MCN TV, për dhu.nën në ndeshjen e basketbollit për femra mes Partizanit dhe Tiranës.

Baku deklaroi se është skandaloze dhe e papranueshme, kur shikon që zihen femrat kështu, por më e turpshme sipas tij është që futen në parket meshkuj dhe godasin femrat.

“Këto skena jemi mësuar t’i shikojmë në stadiumet e futbollit. Ajo që është e papranueshme, e turpshme dhe skandal i madh, që femrat të zihen në këtë mënyrë. Aty janë futur edhe spektatorë, ka dështuar mbarëvajtja e kësaj ndeshje. Është për të ardhur keq që skena të tilla i shikojmë mes vajzave. Më e turpshme akoma që shikojmë edhe meshkuj, që godasin vajzat, nuk e kuptoj se çfarë duan aty. Është e papranueshme.

Kjo vjen sepse ne nuk kemi kulturën e spektaklit, kulturën e lojës. Basketbolli është një lojë dhe duhet të mbetet në kuadrin e lojës dhe spektaklit. Unë kam qenë të martën në Korçë dhe pashë finalen e volejbollit Skënderbeu-Partizani, në një pallat të mbushur plot e për plot. Ishte një spektakël i vërtetë.

Kur shikoj këtë që ndodhi një ditë më vonë, është turp. Këtu kalohen caqet e lojës. Nëse kemi spektakël dhe pallati i sportit do të jetë plot. Duhet të merren masa për zbardhjen e kësaj ngjarje. Unë e di që faji do të mbetet jetim. Kjo ngjarje duhet të na bëjë të reflektojmë.

Këto dy skuadra kanë një armiqësi mes tyre dhe tifozëve. Nga futbolli, unë e kam parë edhe në volejboll për meshkuj, tani kaloi edhe te femrat. Aty duhet të ketë, për çdo ndeshje të tillë, duhet të ketë të paktën 10 roje dhe duhet të ketë një fugon policie jashtë. Është keqardhje që në këto ditë të bukura, në atë sport femrat të zihen ashtu. Më kanë lënë një shije shumë të keqe. Klubet të gjejnë paqen.

Është e rëndë, sepse dhu.na ka ndodhur brenda në parket. Nuk e di rregulloren, por përgjegjësi kryesore për këtë ngjarje shkon te Federata e Basketbollit”.