Ekipi i basketbollit të Vllaznisë po kalon momente të vështira. Vendi i fundit në tabelën e klasifikimit është një rrezik serioz për rënien nga kategoria. Në fakt, ardhja e presidencës së re, me në krye Sokol Dibrën, në javët e fundit të vitit të kaluar sikur dha sinjale pozitive për daljen e Vllaznisë nga kriza, por përsëri kuqeblutë mbeten në vendin e fundit të renditjes.

Një situatë e tillë padyshim që është e rëndë dhe Vllaznia duket shumë e rrezikuar për të rënë nga Superliga e basketbollit. Nëse nuk do të ketë ndërhyrje në merkato gjatë janarit, padyshim që kjo do të ndodhë, sepse aktualisht është ekipi më i dobët i kampionatit.

Deri më tani, Vllaznia në basketboll për meshkuj është përfaqësuar në kampionat me basketbollistë të moshës 16-vjeçare. Aktualisht, basketbolli shkodran po kalon ditë të vështira, ndërsa trajneri i kësaj skuadre, Damian Bekteshi ka bërë apel herë pas here.

Realisht, Vllaznia në basketboll për meshkuj kishte përfunduar në një ekip amator deri në këtë pjesë të sezonit. Deri më tani, Vllaznia ka marrë pjesë në kampionat me basketbollistët e të rinjve, teksa nëse do vazhdohej kështu ky vit mund të ishte më i zi për basketbollin shkodran.

Megjithatë, me afrimin sërish të presidentit Sokol Dibra, pjesën e ardhshme të sezonit shpresohet të ndryshohet diçka për pozitivisht. Gjithsesi, çdo gjë mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme rreth Vllaznisë në basketboll për meshkuj.
Maringlen ZHIVANI