Nuk ka më Salihin, Sinanin, Sukajn apo Vajushin… Edhe pse Shkodra nxjerr gjithnjë talente, tashmë duket në hall për një sulmues tipik golashënues. Futbollistët që janë prodhim i shkollës shkodrane tashmë luajnë jashtë vendit ose nëpër ekipe të tjera në kampionate të ndryshme.

Në fakt, drejtuesit kuqeblu dhe presidenti Alban Xhaferi kërkojnë rikthimin e Bekim Balajt, por deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete mes palëve. Në fakt, parësore duket se është afrimi i një sulmuesi që garanton minimalisht 5-10 gola deri në fund të këtij sezoni.

Edhe në fazën e parë të këtij sezoni, shkodranët kanë vuajtur në këtë repart. Madje, shpesh lojtarët mesfushorë janë improvizuar në këtë repart. Dyshja e qendrës së sulmit për momentin janë Kaina dhe Aralica te Vllaznia, por duket se ata nuk plotësojnë nevojat e skuadrës.

Deri më tani, janë lakuar emrat e Bekim Balajt dhe Rubin Hebajt në Shkodër si rikthime të mundshme, por në fakt sipas burimeve të “Shkodra Sport” që të dy synojnë transferimin jashtë vendit. Megjithatë, gjithçka mbetet të shikohet në ditët në vazhdim se cila do të jetë e ardhmja e Balajt dhe Hebajt, por edhe lëvizjet e Vllaznisë në këtë merkato dimërore.
Maringlen ZHIVANI