Vllaznia do ta luajë ndeshjen e parë të 2023 ndaj Partizanit në transfertë. Ky takim do të luhet në kryeqytet, më konkretisht në kompleksin “Partizani” të premten e ardhshme në orën 16:00.

Kapiteni i shkodranëve, Erdenis Gurishta thotë se ndeshja me të kuqtë nuk përcakton titullin kampion. Poashtu, ai u shpreh se kjo ndeshje është e rëndësishme për vazhdimin e kampionatit, por jo përfundimtare dhe vendimtare për titullin kampion.

Ndërkohë, i pyetur edhe për merkaton, Gurishta shtoi se ekipi i Vllaznisë ka nevojë për afrime. Kapiteni i ekipit kuqeblu u shpreh se Vllaznia ka nevojë për futbollistë që bëjnë diferencën në Shkodër dhe e ndihmojnë ekipin, jo për ata që vijnë e ikin pas gjashtë muajve.

“Për mua në mendjen time, ndeshja me Partizanin nuk është se përcakton titullin kampion. Megjithatë, është shumë e rëndësishme për vazhdimin e kampionatit. Në rast fitoreje kundër Partizanit, jam i sigurt që ekipi i Partizanit do të futet në presion dhe ekipi jonë do fitojë një besim tjetër.

Nëse fitojmë ndaj Partizanit, në vazhdimin e kampionatit shpresojmë që Vllaznia të jetë më e fortë dhe të fitojmë më shumë besim. Ndeshja me Partizanin nuk është vendimtare, sepse ka edhe shumë javë të tjera. Gjithsesi, është një ndeshje që tregon shumë.

Merkato? Të them të vërtetën, duke pasur parasysh që kemi shumë mungesa, unë kisha thënë që Vllaznia ka nevojë për ndërhyrje në merkato, pasi shumë futbollistë kanë pasur dëmtime dhe akoma nuk janë rikuperuar.

Kështu që, mendoj që është e nevojshme që ata futbollistë që mungojnë, të zëvëndësohen me futbollistë të tjerë. Kur e them një gjë të tillë, them jo për futbollistë që vijnë e ikin pas gjashtë muajve, por për futbollistë që bëjnë diferencën në Shkodër dhe e ndihmojnë ekipin e Vllaznisë”,-tha gjatë prononcimit të tij për “Shkodra Sport”, kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta.
Maringlen ZHIVANI